Politika pengesë për vëmendje në shëndetësi, Çaka thotë është rritur buxheti dhe puna e MSh-së

Prishtinë | 05 Pri 2019 | 11:03 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shëndetësia nga paslufta nuk ka pasur vëmendje të duhur, pasi që vendi është marrë me çështje të tjera, duke dominuar ato nga politika.

Kështu u tha në tryezën e diskutimit “Shteti i Kosovës për shëndetin e qytetarëve”, organizuar nga Instituti për Hulumtime Sociale “Paragon”, në bashkëpunim me Fondacionin “Friedrich Ebert”, raporton Ekonomia Online.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Agim Çaka, tha se shteti tashmë ka arritur ta kthejë këtë vëmendje për shëndetësinë.

 “Një shëndetësi e nën financuar për vite, nuk ka mundur të ofroj shërbime cilësore përmes së cilës do krijonte sistem të tillë me të cilin qytetarët do ishin të kënaqur. Pas një kohe të gjatë shteti tashmë ka kthyer vëmendjen për ta konsoliduar atë dhe për të ofruar shërbime optimale për qytetarët. Në fokus për përmirësimin  e statusit profesional të stafit mjekësor dhe paga më të dinjitetshme”, u shpreh Çaka.

Ai përmendi disa nga hapat e ndërmarrë së fundi për përmirësimin e sistemit të shëndetësisë, pasi edhe buxheti për shëndetësi është rritur.

“Në planin e politikave kemi në proces amendamentin e dy ligjeve, ligjin për shëndetësi dhe ligjin për sigurime shëndetësore. Financimi, buxheti për shëndetësi është rritë ndjeshëm. Duke krijuar mundësi edhe për rritje të buxhetit për barna në rreth 39 milionë nga 20 milionë sa ka qenë më parë. Po ashtu është në finalizim të listës së barnave. Muajin tjetër pritet që sektori farmaceutik ta ketë të aprovuar këtë listë të re. Shërbimet e reja, kujdes i veçantë po u kushtohet këtyre, sidomos në kardiokirurgji. Fuqizimi i inspektorëve ka filluar me kapacitete. Shëndeti publik, Kosova vazhdon të hartoj strategji dhe jemi vend me shkallën më të lartë të vaksinimit të fëmijëve që ka bërë që Kosova të mos jetë me epidemi të fruthit”, shtoi Çaka.

Fisnik Dukolli, drejtor i Institutit “Paragon”, tha se duhet të gjenden arsyet e problemeve në shëndetësi dhe ikja e të rinjve poashtu edhe të profesionistëve shëndetësorë nga vendi.

Sipas Dukollit, shëndetësia ka nevojë për reforma të shumta.

“Paragon” është një shoqatë e re i përbërë kryesisht nga të rinjtë e fushave mjekësore, që vëmendje kryesore ka problematikat dhe studimin e çështjeve shëndetësore dhe sociale. Duke parë që gjendjen aktuale të shëndetësisë në Kosovë dhe nevoja për reformë legjislative me gjithë ato mungesa të medikamenteve në qendrat mjekësore, me gjithë këtë ikje të studentëve dhe profesionistëve shëndetësorë nga Kosova, ne menduam se përmes debatit do të arrijmë në një konkludim lidhur me shkakun e këtyre problemeve dhe duke u munduar edhe të gjejmë zgjidhjen për to”, tha Dukolli.

Hana Xhemajli nga Fondacioni “Friedrich Ebert”, tha se shëndetësia ka mbetur prapa në Kosovë si shkak i temave politike, andaj edhe si fondacion kanë vendosur të marrin pjesë në diskutime të tilla.

“Gjatë 20 viteve në Kosovë është pa që në Kosovë shëndetësia ka mbet prapa pak. Një iniciativë e studentëve për me hulumtua dhe me pyet qytetarin me temën për antibiotikë mu duk në shpërputhje me atë çka ne po e bëjmë. Temë në Kosovë ka qenë demarkacioni dhe tash është dialogu, ndërsa shëndetësia ka mbet prapa”, u shpreh Xhemajli.

Studentja e mjekësisë, Zana Imeri, prezantoi temën “antibiotikët si vetëmjekim”. Ajo paraqiti edhe aspektin e shërbimit mjekësor në bazë të statusit të njerëzve, për çka qytetarët ishin përgjigjur se shërbimet jepen mbi atë bazë.

“Sa më i lartë statusi akademik apo statusi financiar aq më të lehtë e shihnin shërbimin mjekësor. Në Kosovë ekzistojnë ende probleme si përdorimi i antibiotikëve përmes bisedave telefonike, marrja e antibiotikëve pa rekomandim të mjekut etj”, tha Imeri.

Ajo paraqiti edhe disa rekomandime për vetëdijesimi e qytetarëve.

“Do ishte mirë të bëhej sensibilizimi i qytetarëve për përdorimin e antibiotikëve, kontrollet e rregullta te profesionistët shëndetësorë si dhe implementimi i rrugës ligjore për përdorim të antibiotikëve vetëm me recept të mjekut”, u shpreh Imeri.  

Dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Mangjuka-Kërliu, tha se ky fakultet ka synim ta ngritë cilësinë, ajo shtoi se i është kthyer kredibiliteti.

“Vizioni i fakultetit të mjekësisë është të ngritët cilësia e mësimdhënies, infrastrukturës, adresimi i dukurive negative në fakultet, jemi të interesuar që barazia gjinore të jetë në fokus të fakultetit të mjekësisë. Ne jemi fokusuar edhe në ndërkombëtarizim e fakultetit të mjekësisë. Misioni i fakultetit të mjekësisë është që të ketë komunikim të mirë mes stafit dhe vendimmarrja të jetë transparente. Mendoj se kemi kthyer kredibilitetin, sidomos në pranimin e studentëve duke e bërë pranimin në baza meritore”, tha Manxhuka-Kërliu, raporton EO.

Drejtpërdrejt

?DREJTPËRDREJT – Instituti për Hulumtime Sociale “Paragon”, në bashkëpunim me Fondacionin “Friedrich Ebert” organizon tryezën e diskutimit “Shteti i Kosovës për shëndetin e qytetarëve”

Posted by EkonomiaOnline on Friday, April 5, 2019










Lexo më shumë:

Të ngjashme