Psikiatrit: Gjatë pandemisë janë shtuar rastet me ankth e stres, si dhe dhuna në familje

Prishtinë | 27 Shk 2022 | 10:30 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Problemet që ka shkaktuar pandemia, e cila shpërtheu para gati dy vitesh, janë të shumta. Ekspertët e shëndetit mendor thanë për Ekonomia Online se kërkesat për trajtim nga ankthi dhe stresi janë rritur si asnjëherë më parë; sikurse dhe numri i rasteve të dhunës në familje.

Problemit i ka kontribuuar edhe izolimi social – një masë kjo e gabuar për ballafaqim me pandeminë, sipas psikiatërve. Gjithashtu vështirësitë financiare kanë nxjerrë në pah dhe shtuar agresivitetin te shumë persona.

Drejtori i Qendrës për Shëndetin Mendor në Prishtinë, Sami Rexhepi, thotë për Ekonomia Online, se vizitat dhe kërkesat për trajtim në këtë qendër janë rritur shumë. “Kryesisht janë probleme me ankth edhe pamundësia e menaxhimit në mënyrë të duhur të stresit, i cili është akumuluar për këto dy vite”.

“Popullata ka qenë në një luftë të pashpallur me një agjent të cilin s’e ke ditur a është brenda në shtëpi, apo është jashtë. Jemi frikësuar se po infektohemi edhe për vete, jemi frikësuar edhe për infektimin e familjarëve tanë. Dhe kjo e ka rritur edhe më tepër nivelin e stresit”, shprehet Rexhepi.

Edhe rastet e dhunës në familje janë rritur pasi pragu i durimit është ulur shumë.

“Është rritur numri, pak ndoshta edhe shkaku i ndërgjegjësimit të popullatës për raportimin e dhunës në familje. Ka familje ku dhuna ka qenë prezentë edhe më herët… Por është një numër i rasteve të reja të dhunës në familje. Pak a shumë është normale për shkak se pragu i durimit është lëshuar shumë poshtë, toleranca jonë është zvogëluar shumë. Po ashtu mënyra e mirëfilltë e komunikimit mungon te ne, në përgjithësi, si kulturë”.

“Të gjitha këto kanë ndikuar që të rritet numri i rasteve të dhunës në familje. Tash kemi dhunën ndaj të moshuarve, dhunën ndërmjet çifteve, kemi dhunën ndaj fëmijëve, kemi dhunën në shkolla dhe më së shumti e që më së lehti shihet është dhuna në komunikacion. Keni parë çfarë tollovie, mungesa e durimit në semaforë të kuq, ikja me një shpejtësi të pakontrolluar me veturë nëpër qytet”, thotë Rexhepi.

Sipas tij, edhe mënyra e informimit në media lidhur me virusin ka pasur ndikim të madh negativ në psikikën e qytetarëve. “Ndikim kanë pasur edhe lajmet e rreme lidhur me vaksinën dhe efektet anësore të saj”.

Neuropsikiatri Ferid Agani thotë se Covidi ka ndikuar në jetën e gjithsecilit. Sipas tij, krahas izolimit edhe vështirësitë financiare janë shkaktarë të rritjes së agresivitetit te shumë persona.

“Edhe dhuna në familje është rritur. Agresiviteti brenda individit ekziston në shkallë të ndryshme vazhdimisht, dhe është i kushtëzuar me shumë faktorë të jashtëm, të brendshëm, faktorë socialë, ekonomikë dhe lloje të tjera të streseve të jashtme”.

“Në rrethana normale, ai agresivitet arrin të kontrollohet. Por, në rrethana të pandemisë kur izolimi social ka qenë një prej masave – unë mendoj të gabuara të ballafaqimit me pandeminë – ai ka shkaktuar që mekanizmat mbrojtës të individit të konsumohen shpejt dhe kontrolli i impulseve agresive të dobësohet shumë brenda individëve”, thotë Agani.

Agani, i cili ka qenë ministër i Shëndetësisë, kritikon masat, sidomos për izolimin e qytetarëve, që ka ndërmarrë Qeveria.

“Masat kanë qenë shumë agresive, kanë qenë gjithëpërfshirëse, kanë qenë masive. Ato kanë prekur individin, familjen, shoqërinë, ekonominë e vendit. Kanë shkaktuar vështirësi të mëdha të natyrës financiare brenda familjeve dhe e gjithë kjo e ka rritur shkallën e stresit brenda familjes”, thekson Agani.

Kosova është ndër vendet e pakta në botë që vazhdon të ketë orë policore në fuqi.

Lexo më shumë:

Të ngjashme