Realizohen më shumë se 1 500 Pap-teste për kancerin e qafës së mitrës

Prishtinë | 13 Dhj 2016 | 10:02 | Nga

Muaj më parë u lansua projekti pilotues për skriningun e kancerit të qafës së mitrës në Prishtinë, i cili ka mundësuar ofrimin e kontrolleve pa pagesë, apo Pap-testeve, për gratë dhe vajzat nga Komuna e Prishtinës në tre Qendra të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

Projekti në fjalë mundësoi zbulimin e hershëm të qelizave jonormale të qafës së mitrës dhe trajtimin e tyre me sukses për të parandaluar kancerin e qafës së mitrës. Pas muajsh pune të palodhshme dhe bashkëpunimi institucional, ofrimi i Pap-testeve pa pagesë në kuadër të qendrave të mjekësisë familjare në Prishtinë do të vazhdojë edhe vitin e radhës.

“Pas një fushate të suksesshme, më shumë se 1 500 gra dhe vajza janë ekzaminuar deri më tani dhe rezultatet tregojnë se 10.4% të rasteve kishin rezultate që thërrasin për ekzaminime të mëtutjeshme mjekësore. Nga kjo shifër, 0.7% rasteve janë konstatuar të kenë ndryshime qelizore të një niveli më serioz, të cilat falë diagnostifikimit të hershëm nga ky projekt mund të trajtohet me sukses dhe shërohet”, thuhet në njoftim e Aksionit për Nëna dhe Fëmijë.

“Ky pilot projekt ka mundësuar për herë të parë realizimin e skriningut në nivelin e kujdesit shëndetësor primar dhe rregullimin e bashkëpunimit me nivelin e kujdesit terciar, apo Institutin e Anatomisë Patologjike pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Me përkushtimin e stafit mjekësor në nivelin primar, projekti ka mundësuar trajnimin praktik dhe aftësimin e 7 mjekëve specialiste të mjekësisë familjare në Prishtinë për kryerjen e Pap-testeve”, thuhet në njoftim.

Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria Komunale për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale tani mundëson vazhdimin ofrimin e Pap-testeve pa pagesë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Qendrën e Mjekësisë Familjare 5 dhe Qendrën e Mjekësise Familjare 6 në Prishtinë edhe vitet në vazhdim si shërbim të rregullt në nivelin primar.

Aksioni për Nëna dhe Fëmijë dhe partnerët tjerë implementues do të vazhdojnë të ofrojnë përkrahjen në realizmin dhe promovimin e programit nacional të skriningut të kancerit të qafës së mitrës si e drejtë shëndetësore për gratë dhe vajzat. Ofrimi i Pap-testeve pa pagesë do të vazhdojë në kuadër të Komunës së Prishtinës si shërbim i rregullt shëndetësor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme