Revidimi i listës preliminare të barnave finalizohet në fund të vitit

Prishtinë | 12 Dhj 2018 | 12:35 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka raportuar në Komisionin parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale për procesin e revidimit të listës esenciale të barnave, vonesat në përmbushjen e agjendës legjislative dhe projeksionet buxhetore të ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2019-të, raporton Ekonomia Online.

Ismaili tha se lista esenciale nuk është bërë që nga viti 2012-të dhe kjo ka marr kohë më shumë që të bëhet një listë e barnave të nevojshme. Ai tha se pret që në fund të këtij viti të finalizohet një listë preliminare e listës. Revidimin e kësaj liste e ka mundësuar edhe buxheti shtesë prej 31 milionë euro .

“Lista esenciale është një proces që nuk ka model të bazohemi lehtë në të sepse nuk ka pasur revidim nga viti 2012 dhe memoria institucionale për të reviduar një listë të tillë e cila mungon në institucionet tona”, tha Ismaili.

Ai tha se tani pritet një listë nga analizat që janë bërë dhe se gjitha kërkesat e klinikave për barna do të trajtohen barabartë.

“Deri në fund të vitit do të kemi mundësi të kemi një listë preliminare dhe në fillim të vitit diku nga janari komiteti do të ketë mundësi me diskutu për listën e barnave esenciale. Procesi i listës esenciale nuk kryhet me takime, por lista është e rëndësishme dhe duhet të kaloj në fazat që është e nevojshme, dëshira ime është që të kaloj ashtu siç duhet dhe jo vetëm të bëhet një listë e çfarëdoshme e barnave”, tha Ismaili.

“Nuk kemi pas dëshirë ligji me dal në kundërshtim me fondin e sigurimeve shëndetësor, jemi në përfundim te saj, do ngritët në diskutim publik, duhet të shohim se a i plotëson të gjitha ato që priten nga sektori në shëndetësi”, tha ai.

Ismaili tha se në këtë vit shëndetësia ka pasur një buxhet shtesë prej 31 milionë euro dhe se shëndetësia ka qenë një nga sektorët primare se sa viteve të kaluara.

“Këtë vit kemi pasur buxhet shtesë 31 milionë euro një ngritje më e madhe se herëve të tjera, pasi që shëndetësia është prioritet dhe se a është e tillë dëshmohet atëherë kur jep buxhet”, tha Ismaili.

Ai tha se buxheti do të shpenzohet për listën esenciale, të shtohen pajisjet në QKUK dhe spitale të përgjithshme, të rinovohen spitalet që për një kohë të gjatë nuk ka pasur ambient të mirë.

Ismaili tha se revidimi i listës ka qenë i hapur për të gjithë, përfshirë OJQ-të dhe komisionin për Shëndetësi.

“Procesi i revidimit të listës esenciale ka qenë i hapur për monitorim nga OJQ-të, ftesat janë dërguar edhe për komisionin parlamentar që të kenë mundësinë të monitorojnë procesin”, tha Ismaili.

Ai tha se edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ndihmuar shëndetësinë kosovare në trajnime të ndryshme për trajtimin e barnave dhe listën esenciale.

Ismaili tha se në ditët e para të muajit nëntor kanë qenë 4 ekspert të OBSh-së që kanë ardhur për trajnim për revidimin e listës esenciale.

“280 kërkesa të reja për barna dhe material shpenzues për futjen në listën esenciale”, tha Ismaili.

Ismaili tha se nëse nuk bëhet analiza e nevojshme e një bari, ka mundësi që ai bar të largohet nga lista esenciale dhe ndoshta pikërisht ai bar është shumë i nevojshëm për pacientë.

Deputeti, Haxhi Avdyli nga LDK-ja e hodhi poshtë pohimin e ministrit Ismaili që në spitale të Kosovës ka ende shtretër të viteve 1981 dhe sipas tij kjo nuk është e vërtetë aspak.

Ai kërkoi përgjigje nga ministri Ismaili për blerjen e shtretërve më të mëdhenj se sa duhet pasi që ka pasur informata që shtretërit e rinj që janë blerë janë më të mëdhenj se sa vetë dyert e spitaleve dhe hapësira e ashensorit në këto institucione.

Ministri Ismaili tha se deputeti Avdyli nga LDK-ja po mban konferencë për shtyp dhe nuk po bën pyetje për atë se për çka është thirrur ministri në komision.

“Ti tani gjithnjë ke fol për dështimet e LDK-së sa ka qenë në pushtet, asnjë nuk ka qenë që ka pas të bëj me mua ose partinë apo qeverinë”, tha Ismaili.

Avdyli kërkoi shpjegim nga ministri Ismiali se cili është ligji që është sjellë për reformën në shëndetësi për gjatë tërë kësaj kohe sa është ministër.

“Nëse ju duken 6 milionë euro më pak juve që i kam shpëtuar, juve mund t’u duken më shumë me i ble”, i tha Ismaili, deputetit Avdyli.

Ismaili tha se prej mandatit të tij janë shpëtuar 6.60 milionë euro.  Ai tha se vetëm për barnat e citostatikëve këtë vit janë blerë 973 milion euro më lirë sesa kur ka qenë LDK-ja në atë mandat me të njëjtën sasi e me të njëjtin bari. Sipas tij material shpenzues për këtë vit ka pas 1.864 mijë më pak.

Deputetja, Fatmire Kollçaku nga VV-ja tha se është për të u falënderuar puna e Institutit Columbus që u ka lehtësuar punën me keqpërdorimet që janë bërë në shëndetësi.

Lexo më shumë:

Të ngjashme