Rinovohet Klinika Emergjente – nga gjysma e vitit tjetër barnat falas, në 2020 sigurimet shëndetësore

Prishtinë | 17 Sht 2018 | 12:36 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nga qershori i vitit të ardhshëm asnjë pacient nuk do të paguajë për barnat nga lista esenciale, ka garantuar kreu i Kuvendit Kadri Veseli.

Madje Veseli tha se nga viti 2020 do të fillojë që qytetarët të participojnë për sigurimet shëndetësore, raporton Ekonomia Online.

“Deri në mesin vitit tjetër, deri në qershor, asnjë pacient mos të ketë nevojë të blejë barna në mënyrë private. T’i paguajmë tatimet, përmes parave të taksapaguesve në arrijmë me i bë këto renovimet”.

“Vitin e ardhshëm të mos paguajë asnjë cent pacienti që trajtohet për barna, nga viti 2020 fillohet, fundi i vitit 2019 përgatiten sigurimet shëndetësore”.

Kreu i legjislativit, këto komete i bëri gjatë përurimit të rinovimit të Klinikës Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku ishte i shoqëruar edhe nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Shëndetësisë, Urani Ismaili.

Sipas tij, shëndetësia është e shtrenjtë dhe se do të punojnë që qytetarët të trajtohen denjësisht dhe të mos kenë nevojë të kërkojnë shërbime jashtë vendit. Veseli tha se do t’i rrisin pagat për personelin mjekësor.

“Qëllimi i vizitës tonë ka një mesazh, falënderimin e punonjësve shëndetësor kanë bërë punë të jashtëzakonshme edhe pse nuk  i kanë pasur kushtet, kemi një mesazh të qartë, shëndetësia është e shtrenjtë”.

“Jemi të vendosur të shkojmë deri në fund që qytetarët tanë denjësisht të trajtohen, mos të kenë nevojë të dalin jashtë vendit për shërbime shëndetësore. Do t’i përkrahim në çdo aspekt, do t’i përkrahim personelin shëndetësorë. Do t’i ngrisim pagat e gjithë personelit shëndetësor”.

Përderisa kryeministri Haradinaj, tha se Kosova i ka mjekët më të mirë në botë pavarësisht pagave të vogla dhe kushteve jo të mira.

“Nuk është vetëm ky repart, shëndetësia në tërësi është duke u rinovuar, kemi personelin më të mirë në botë, ju kanë munguar kushtet pagat, do të jemi bashkë”.

Haradinaj shtoi se realizimi i sigurimeve shëndetësore nuk është i lehtë, derisa kërkoi edhe kontributin e qytetarëve për këtë çështje.

“Shëndetësia është lënë pas dore, për herë të parë ka ndryshuar diçka. Sigurimet shëndetësore, duhet me investu edhe nga publiku që pastaj mu mbush kaca e sigurimeve. Lista esenciale me vonesë, por po sigurohet”.

Ministri Ismaili u shpreh se hapja e Klinikës Emergjente është një siguri më e madhe për pacientët dhe për stafin mjekësor.

Ai deklaroi se pacientët nga tani e tutje do të pranojnë përkujdesje të nivelit më të lartë, derisa këtë e vlerësoi si ditë të madhe për ta, raporton EO.

“Ndryshimi i kushteve për qytetarët,  60 mijë pacientë në vit vijnë këtu, do të marrin shërbime më të mira me pajisje moderne. Qytetari nuk ka nevojë të mendojë të marrë dikë për përkujdesje, një ditë e madhe për të gjithë qytetarët dhe personelin shëndetësor që kanë punuar në kushte të vështira”.

Edhe Ismaili premtoi se sigurimet shëndetësore do të funksionalizohen në fillim të vitit 2020.

Përveç ndryshimeve fizike, kjo klinikë është pajisur edhe me aparaturë të re. Ministria e Shëndetësisë ka investuar 118 mijë për rinovim dhe rreth 300 mijë për pajisje me aparaturë mjekësore.

 

Lexo më shumë:

Të ngjashme