Shtohet numri i foshnjave të braktisura, shtatzënia jashtëmartesore – një nga arsyet

Prishtinë | 08 Mar 2020 | 08:30 | Nga Linda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Të vetme, pa përkujdesje familjare, disa foshnje po qëndrojnë në Klinikën e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Për ushqimin, pastrimin, shëndetin e tyre dhe dashurinë, kujdesen infermieret dhe stafi mjekësor i kësaj klinike, pasi këto foshnje janë braktisur nga prindërit.

E gjatë vitit 2019 ka pasur rritje të numrit të foshnjave të braktisura.

Këtë e ka bërë të ditur për Ekonomia Online, drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci, sipas të cilit kjo klinikë trajton të gjitha foshnjat e braktisura që lindin në Klinikën Gjinekologjike Obstetrike, por edhe ato foshnje që vijnë nga jashtë me anë të punëtorëve social e Policisë.

“Në vitin 2019 ka një rritje të numrit të foshnjave të braktisura në krahasim me vitin 2018, Mund të them se në vitin 2019 Klinika e Neonatologjisë ka trajtuar 38 foshnje, nga këto 26 janë trajtuar si foshnje të braktisura, mirëpo pas bisedës me punëtorin social që punon në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike dhe stafin e Klinikës së Neonatologjisë është bërë bashkimi familjar. Ndërsa, vetëm 12 raste kanë mbetur si raste sociale dhe për to përkujdeset departamenti i Mirëqenies Sociale pranë ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale”, tha Gojnovci.

Ai thekson se në vitin 2018, në klinikë kanë qenë 29 foshnje të braktisura, por që ndërkohë 20 prej tyre janë ribashkuar me familje.

“Në vitin 2018 kanë qenë 29 foshnje të braktisura, nga këto 20 foshnje pas bisedave janë kthyer familjeve, ndërsa 9 kanë mbetur nën përkujdesje të departamentit të mirëqenies sociale si raste sociale”, ka treguar ai.

Sipas Gojnovcit, arsyet e braktisjes së foshnjave janë nga më të ndryshmet, një nga to edhe shtatzënitë jashtëmartesore.

“Arsyet janë të ndryshme duke filluar nga ato ekonomike, ato shtatzënitë jashtëmartesore etj”, theksoi Gojnovci.

Foshnjat e braktisura, në klinikë qëndrojnë 28 ditë, më pas sipas Gojnovcit kujdeset departamenti i mirëqenies sociale.

“Nuk ka dallim të madh mes gjinive, pra po ato janë raste sociale në momentin që lind nëna deklarohet  se nuk do të përkujdeset për foshnje dhe stafi infermieror së bashku me doktorin merr foshnjën në kujdesin intensiv 24 orë, bëhen të gjitha ekzaminimet, pastaj në klinikën tonë qëndron 28 ditë dhe me bashkëpunim me punëtorin social mandej kujdeset departamenti i mirëqenies sociale”, tha Gojnovci.

Mirëpo, ka raste kur një foshnje ka qëndruar më shumë se 28 ditë në klinikë. Kjo zakonisht ndodh për shkak të problemeve shëndetësore të foshnjave.

“Në rrethana të veçanta mund të qëndroj varësisht se ka raste sociale që duhet të trajtohen në kujdesin intensiv dhe të marrin shërbimet, terapitë kështu që ndodh që të qëndrojnë më gjatë për shkak të nevojave për shërim”, tregoi ai

Sipas Gojnovcit, shërbimi për këto foshnje nuk mungon, megjithatë tregon se kanë mungesë të stafit infermieror.

“Ne në Klinikën e Neonatologjisë kemi një hapësirë të veçantë po kemi edhe një infermiere që kujdeset 24 orë 7 ditë në javë sa i përket shërbimit nuk mungon, mirëpo megjithatë kemi mungesë të stafit të infermieror dhe gjithmonë duhet një person për këto foshnje. Çdo ndërrim nga një infermiere që kujdeset për këto foshnje”, tregoi drejtori i Neonatologjisë.

Ndërkohë, nga drejtoria e SHSKUK-së, në një përgjigje me shkrim për Ekonomia Online, thonë se mungesat dhe kërkesat e klinikave janë shumë më të mëdha, krahasuar me mundësitë buxhetore.

“Viti 2019, ka qenë viti që më së shumti janë pranuar infermier/e  dhe nevojat urgjente janë përmbushur në të gjitha klinikat. Në këtë vit, pas miratimit të buxhetit, bazuar në mundësitë buxhetore do të ketë sërish konkurse në mënyrë që të përmbushen kërkesat”, thuhet në përgjigjen nga SHSKUK-ja.

Lexo më shumë:

Të ngjashme