Syla s’përjashton protestat pas pandemisë, për të kundërshtuar pezullimin e Ligjit për Pagat

Prishtinë | 03 Pri 2020 | 12:10 | Nga Fitore Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, deklaroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për vazhdimin e pezullimit të Ligjit të Pagave, është zhgënjim për të gjithë personelin shëndetësorë, Policinë, zjarrfikësit dhe punëtorët e arsimin.

Syla në një intervistë për Ekonomia Online, ka shprehur shqetësimin  për pezullimin e ligjit deri më 30 qershor, me arsyetimin e përhapjes së pandemisë së Coronavirusit.

“Kjo nuk është çështje vetëm e mjekëve, kjo është çështje për mbi 60 mijë punëtorë shëndetësorë dhe e kam thënë që është një vendim zhgënjyes dhe degradues për të gjithë punëtorët. Gjykata ka pasur kohë katër muaj prej dhjetorit kur e kanë pezulluar për të mbledhur fakte, mirëpo që të shtyhet deri në fund të qershorit nuk mundet me na bind që nuk kanë pasur kohë”.

“Qeveria po kanë kohë për të marr vendime politike, mirëpo çështja te mirëqenia e punëtorëve në përgjithësi si dhe rregullimi i një ligji në përgjithësi i cili është obligim i MSA-së këta thonë se nuk kemi kohë. Në këtë kohë të pandemisë, jemi të zhgënjyer sepse këtë e kemi pritur që nga dhjetori që të implementohet. Është bërë një mund prej dy vjetëve që të bëhet ky ligj, mirëpo edhe në këtë kohë të merren vendime të tilla të cilët e zhgënjejnë punëtorin shëndetësor, Policinë, zjarrfikësit dhe arsimin, të gjithë janë në vijë të frontit”, shtoi Syla.

Mes tjerash, Syla theksoi se pas përfundimin të pandemisë, të gjitha sindikatat do të ulen dhe diskutojnë për vendimet që do të merren. Ai nuk ka përjashtuar as protestat si masë kundërshtuese.

Sipas Sylës, nuk do të presin deri në fund të qershorit për të marrë vendim.

“Ata e kanë treguar veten kolegial dhe në Sindikatë e Shëndetësisë jemi në këtë luftën e pandemisë dhe të gjithë janë deklaruar që të kalohet kjo. Në momentin që kalohet atëherë do të ulemi të gjitha sindikatat dhe do të marrim vendimin”.

“Vendimet nuk do të jenë të lehta me siguri nuk do të presim më vendim të Kushtetutës, njëkohësisht secila Qeveri do të përballet me reagime tona. Do të ketë reagime sindikale”.

Syla përmendi edhe shkarkimin e bordit të QKUK-së, të cilin e konsideroi jo të përshtatshëm në këtë kohë të pandemisë.

“Ky bord ka qenë jofunksional, të paktën në këtë kohë ka mundur të mos e bëjë këtë çështje ka mundur të plotësohet me anëtarë të tjerë. Konsiderojë që ka qenë në kohën jo të duhur emërimi i një anëtari të ri”, theksoi Syla.

Sipas Sylës, është shumë i rëndësishme shëndeti i qytetarë, për këtë edhe u ka bërë thirrje presidentit, kryeparlamentares dhe kryeministrit që të marrin masa parandaluese.

“Kam kërkuar nga presidenti, kryeparlamentarja dhe nga  kryetari i qeverisë të gjitha partitë pozitë opozitë të gjithë faktorët politikë që të marrin masat parandaluese”.

“Andaj konsiderojë le ti thirrin mendjes dhe ta marrin një vendim të duhur, sepse është me interes vital për ne. Prapë kemi grumbullim dhe lëvizje e cila mund të na kushtojë ne”, ka thënë Syla.

Gjykata Kushtetuese të martën e ka shtyrë vendimin për masën e përkohshme për Ligjin e Pagave deri më 30 qershor.

Lexo më shumë:

Të ngjashme