Të plagosurit në “Lagjen e Spitalit”, njëri në gjendje të rëndë e tjetri lirohet nga mjekimi intensiv

Prishtinë | 09 Sht 2019 | 15:25 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Njëri nga të  plagosurit në ngjarjen e rëndë që ndodhi ditën e enjte në “Lagjen e Spitalit”,  është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po vazhdon të mbahet në Klinikën Intensive në QKUK, raporton Ekonomia Online.

Shefi i Klinikës Intensive, doktor Shaqir Uka, në një prononcim për Ekonomia Online tha se i plagosuri tjetër sot është dërguar për trajtim të mëtejmë mjekësorë në repartin e Kirurgjisë Vaskulare për shkak se gjendja e tij është përmirësuar.

“Ne i kemi pasur dy pacientë të cilët kanë ardhur pas ekzaminimeve dhe pas ndërhyrjeve kirurgjike për trajtim të mëtejshëm të mjekimit intensiv qendror. Fatmirësisht njëri prej tyre, kemi arritur që ta shkëpusim nga përkrahja e aparaturës dhe ai sot pas stabilizimit të gjendjes së përgjithshme të tij është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm mjekësorë në repartin e Kirurgjisë Vaskulare”, tha ai.

Uka thotë se pacienti me gjendje të rëndë shëndetësore është në mjekim intensiv.

“Pacienti i dytë vazhdon të qëndrojë edhe më tutje për trajtim në njësinë e mjekimit intensiv qendrorë. Gjendja e tij e përgjithshme paraqitet të jetë edhe më tutje e rëndë dhe serioze”, tha ai për Ekonomia Online.

Në këtë ngjarje që ndodhi të enjten në “Lagjen e Spitalit”  kanë vdekur dy persona, kurse Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se me urdhër të prokurorit kujdestar, janë ndaluar për 48 orë, personat me inicialet N.M., M.M., dhe F.R., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas Prokurorisë, deri te përleshja fizike e më pastaj ka pasur të shtëna me armë zjarri në mes të të dyshuarve, F.R., M.R., dhe B.M., N.M., M.M., të cilët kanë qenë të implikuar në këtë rast.

Prokuroria thotë se në njërën anë personat me inicialet F.R., dhe M.R., ndërsa në anën tjetër të dyshuarit me inicialet B.M., N.M., dhe M.M., kanë shtënë me armë zjarri.

Lexo më shumë:

Të ngjashme