Zemaj: Për specializim aplikuan 2 000 mjekë, për më shumë se 4 vjet u mohua kjo e drejtë

Prishtinë | 14 Gus 2020 | 09:13 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj në një konferencë për medie ka folur lidhur me mbylljen e konkursit të specializimeve në mjekësi, raporton Ekonomia Online.

Zemaj me këtë rast ka bërë të ditur se për specializim kanë aplikuar 2 000 mjekë.

Ai më tej ka shtuar se për më shumë se katër vjet ministria e Shëndetësisë nuk ka shpallur konkurs për specializim duke ua mohuar të drejtë e avancimit shumë mjekëve.

“Jemi i shumë të lumtur nga interesimi i madh i mjekëve për tu bërë pjesë e këtij konkursi, por jo të befasuar për faktit se MSh-ja prej 4 vjet nuk kishte shpallur konkurs për specializime duke iu pamundësuara mjekëve një të drejtë të tyre në avancimin profesional”.

Zemaj thotë se si ministër ka thyer këtë bllokadë, madje ka bërë të ditur se edhe për Luginën kanë parashikuar tetë vende, raporton EO.

“Ne e kemi thyer këtë bllokadë dhe u kemi dhënë mundësin rreth 2000 mjekëve të përgjithshëm, stomatologjikëve dhe psikologëve për të filluar specializimin”.

“Për të tri nivelet e kujdesit shëndetësor kanë aplikuar 2000 persona, ndërsa për stomatologji janë edhe 200 vende të cilat janë me vetëfinancim”.

“MSh-ja ka bërë plotësimin e konkursit para disa dite për plotësimin e nevojave të Qendrës së Transfuzionit të Gjakut dhe disa institucione të tjera dhe duke ndarë edhe 8 vende për mjekët nga Lugina”.

Fjalimi i plotë:

Jemi të inkurajuar nga interesimi i madh i mjekëve për t’u bërë pjesë e këtij konkursi, por jo të befasuar, duke marrë parasysh faktin se prej 4-5 vjetësh, Ministria e Shëndetësisë nuk kishte shpallur konkurs për specializime, duke ua pamundësuar mjekëve një të drejtë të tyre-shkollimin specialistik dhe avancimin profesional.

Ne kemi thyer këtë bllokadë të pakuptueshme dhe u kemi dhënë mundësinë rreth 2000 mjekëve të përgjithshëm, stomatologëve dhe psikologëve, që të bëhen pjesë e konkurrencës për të filluar një specializim në fushën e përzgjedhur.

Sipas të dhënave nga Sekretaria e Bordit për Shkollim Specialistik, në këtë konkurs kanë aplikuar, siç e thamë rreth 2000 kandidatë, për të tre nivelet e Kujdesit Shëndetësor:
• Pra, për Kujdesin parësor Shëndetësor, të financuar nga komunat QKMF (Mjekësi familjare, biokimi klinike dhe ku ka maternitete, pediatër dhe gjinekolog)
• Për Kujdes Dytësor dhe Tretësor (Spitale të Përgjithshme dhe QKUK-profilet e tjera të specializimeve, sipas nevojave të institucioneve)
• Ndërsa për Stomatologji, janë 250 vende me vetëfinancim.

Ndërsa para dy ditësh, MSh ka bërë edhe plotësimin e konkursit duke ndarë disa vende shtesë për nevoja të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, disa institucione të tjera, dhe duke ndarë edhe 8 vende me financim nga Ministria për mjekët nga Lugina e Preshevës dhe 40 me vetëfinancim, duke ndarë kështu gjithsej 48 vende specializime për mjekët nga Lugina e Preshevës.

Sigurisht, kjo është një ndihmë e drejtpërdrejt për fuqizimin e shërbimeve shëndetësore në komunat me shumicë shqiptare atje, për faktin se specializantët, pas mbarimit të programit, sipas kontratës do të jenë të obliguar të punojnë në Luginë.

Prandaj, ne jemi të lumtur që për një kohë të shkurtër, arritëm të krijojmë mundësi reale që mjekeve tanë t’u hapim horizontin e ngritjes profesionale me synimin kryesor që ata të shkollohen e aftësohen profesionalisht në Kosovë, ta kenë perspektivën këtu dhe t’i shërbejnë popullit të Kosovës.
Për ndonjë detaj tjetër, rreth konkursit, mund të ju përgjigjen anëtarët e Bordit për Shkollim Specialistik.

Shfrytëzoj rastin që t’u bëj thirrje të gjitha palëve të interesuara, organizatave qeveritare dhe jo-qeveritare që ta bëjnë monitorimin e këtij procesi, duke siguruar transprencë të plotë dhe mudnësi të barabarta për të gjithë kandidatët.

Duke qenë që jemi në një kohë të pandemisë, shfrytëzoj edhe këtë mundësi, të ju bëj thirrje qytetarëve për zbatim pa rezervë të masave kundër Covid-19, duke u treguar të përgjegjshëm: të mbajnë maskën , të ruajnë distancën dhe higjienën personale.

Lexo më shumë:

Të ngjashme