Zyrtare: Konfirmohen dy rastet e para me Coronavirus në Kosovë

Prishtinë | 13 Mar 2020 | 17:35 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

(E plotësuar) Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i shoqëruar nga kryeministri Albin Kurti, në një konferencë të jashtëzakonshme për medie, ka konfirmuar paraqitjen e dy rasteve me Coronavirus në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Ministri Vitia tha se pas kryerjes së analizave në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për SARS Cov 2 për 15 raste të dyshimta në Covid-19, dy (2) prej tyre kanë rezultuar pozitive.

Ai tha se pacientët e konfirmuar pozitiv gjenden të shtrirë në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe se gjendja e tyre shëndetësore rezulton stabile.

Njëri nga të konfirmuarit pozitiv në Covid-19 është shtetase italiane e moshës 20-vjeçare, kurse pacienti i dytë, është kosovar i moshës 77-vjeçare.

IKSHPK me institucionet e tjera kanë filluar menjëherë me gjurmimin e të gjitha kontakteve të dy pacientëve dhe janë marrë të gjitha masat e izolimit dhe vetëkarantimit të personave më të cilët kanë qenë në kontakt të konfirmuarit pozitiv në Covid-19.

“Në këtë moment që po flasim, është mbledhur edhe Komiteti për Koordinimin dhe Vlerësimin e Situatës me Koronavirus Covid-19 për të diskutuar dhe rekomanduar masat përkatëse konform situatës së re të parapara edhe me Planin e Veprimit”, tha Ministri Vitia.

Ai tha se për të gjitha rekomandimet dhe vendimet rreth situatës publiku dhe qytetarët do të njoftohen në kohë reale.

Kurse, kryeministri Albin Kurti u ka bërë apel qytetarëve që mos bëjnë panik, por me kujdes të shtuar t’iu përmbahen udhëzimeve për parandalimin e Coronavirusit Covid-19.

“I ftoj qytetarët për qetësi, që të mos bëjnë panik dhe të mos paraqiten në Klinikën Infektive nëse nuk kanë shenja të sëmundjes”, theksoi kreu i Qeverisë.

“Ministria e Shëndetësisë e ka vënë në dispozicion linjën telefonike për informim e këshillim në të cilën mund të thërrasin të gjithë ata tek të cilët mund të shfaqen simptoma të dyshimta për sëmundje akute të frymëmarrjes (ethe, kollë, vështirësi në frymëmarrje) DHE historik të udhëtimit në vend / zonë ose territor që raporton sëmundjen me COVID-19 gjatë 14 ditëve para fillimit të simptomave; ose që kanë qenë në kontakt me një rast të konfirmuar ose të mundshëm të COVID-19 në 14 ditët e fundit para fillimit të simptomave”.

“Ftohen të gjithë qytetarët që pa panik, por me kujdes të shtuar t’iu përmbahen udhëzimeve dhe masave parandaluese të rekomanduara nga institucionet shëndetësore, si dhe të gjitha masave të shpallura nga Qeveria e Kosovës. Me kujdes të shtuar, të gjithë bashkë, do t’ia dalim edhe në këtë betejë”.

Kurti tregoi se në orën 19:00 do të mbajnë mbledhje të Qeverisë dhe do të vendoset se a do të mbyllen kufijtë.

“Rekomandimi ishte që mbyllja të mos ishte totale vetëm për transport dhe mallra, por në orën 19:00 në mbledhjen e jashtëzakonshme të Qeverisë do të mund të ju drejtohemi nëse do të marrim vendim”, tha Kurti.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, tha se punëtorët e këtij instituti do të bëjnë gjurmimin e të gjithë personave që mund të kenë qenë në kontakt me të infektuarit e konfirmuar. Ai tha se do të vazhdojë edhe gjurmimi i rasteve të tjera të dyshuara.

Ramdani tha se IKShP ka të dhëna të sakta për historinë e udhëtimit të rasteve të konfirmuara.

“Dihet saktësisht kur kanë hyrë në Kosovë, por nuk dihet kohëzgjatja e inkubacionit të virusit”, shtoi Ramadani.

Lexo më shumë:

Të ngjashme