Shënohet Dita e Komunitetit Turk, Haradinaj premton përkrahje

Prishtinë | 23 Pri 2019 | 11:13 | Nga Nexhmie Hyseni Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zyra për Çështje të Komuniteteve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit ka organizuar pritje me rastin e Ditës së Komunitetit Turk, raporton Ekonomia Online.

Me këtë rast, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Turqisë datojnë me shekuj. Ai ka thënë se do të angazhohet që të trajtojë kërkesat e këtij komuniteti.

“Jam i nderuar që në ditën nacionale të turqve që po mbahet në Kosovë dhe Turqi, jemi së bashku sot. Dita e turqve të Kosovës është moment me reflektu për marrëdhëniet shumë të mira me popullin e Kosovës, marrëdhënie që datojnë me shekuj”.

“Turqia është ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën. Angazhohem çdo herë që të trajtojmë kërkesat e këtij komuniteti”, ka thënë Haradinaj.

Zv. ministër i Punëve të Jashtme të Turqisë, Faruk Kaimakçi, është shprehur falënderues ndaj Qeverisë së Kosovës duke thënë se Kosova është një shembull i mirë për përkrahje të komuniteteve.

“Në ditën e komunitetit turk, ju uron këtë ditë kryeministri jonë dhe anëtarët e Kuvendit e urojnë nga Turqia. Kosova me të vërtet duke festuar këtë ditë dhe duke shpallur këtë ditë edhe pse është shtet shumë i vogël ka dhënë një shembull shumë të mirë. Komuniteti turk në Kosovë është urë lidhëse me atë në Turqi”.

“Turqia ka qenë ndër shtet e para që njohu Kosovën sepse ne njohim Kosovën dhe kosovarët dhe natyrisht ne bëjmë përpjeke që Kosova të njihet nga të gjitha shtetet. Ne dëshirojmë të bëjmë marrëveshje tregtie me Kosovën në një të ardhme të afërt. Ne përkrahim formimin e ushtrisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, ka thënë se Kosova dhe Turqia kanë marrëdhënie te mira duke kërkuar që të bëhet më shumë për komunitetet.

“Së pari dashuria që kemi ndaj Kosovës, kjo është një tregues i rëndësishëm për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë. I përgëzoj për përkrahje të komunitetit turk”.

“Ka nevojë për implementimin e të gjitha ligjeve për projekte konkrete: Implementimi i gjuhëve amtare, arsimi në gjuhën turke, ndërtimi i vendeve për kulturë, më shumë subvencione dhe punësime duke u bazuar në mekanizma të qartë”, tha Yagcilar.

Të ngjashme