Shënohet Dita e Librit të Ndaluar me moton “Librat digjen, por idetë jo”

Prishtinë | 24 Sht 2018 | 12:50 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata “Etea”, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, ka organizuar “Ditën e Librit të Ndaluar” me temën “Librat digjen, (por) idetë jo” si përgjigje ndaj censurës, me theks të veçantë te censurimi i librave, ngjarje kjo që do të zgjasë tërë ditën dhe do shënohet me aktivitete të ndryshme.

Kjo do të jetë hera e parë, që Prishtina i bashkohet nismës “Java e Librit të Ndaluar”, e cila në fund të muajit shtator shënohet në qytete të ndryshme perëndimore, raporton Ekonomia Online.

Krejt kjo me qëllimin që të ngrite vetëdija mbi lirinë e të shprehurit dhe përkujtim për librat e ndaluar dhe artistët e intelektualët e dënuar sidomos gjatë kohës së diktaturave totalitare.

Në sheshi “Zahir Pajaziti”, për publikun u shfaq një performancë artistike me karakter satirik, e përgatitur nga skenaristi Florent Kurtalani dhe regjisori Kushtrim Mehmeti.

Agon Ahmeti, drejtor në “Etea”, tha se po shënojnë Ditën e Librit të ndaluar që është iniciuar që në vitin 1882. Ai përmendi disa nga ata të persekutuarit si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë dhe disa libra të djegur kohët e fundit.

“Jemi shoqëri që kemi kaluar në shumë sisteme ku shumë autorë e gazetarë janë persekutuar si Petro Marko, Mitrush Kuteli, Adem Demaçi, Ukshin Hoti, Isuf Gërvalla etj. Kemi pasur edhe raste ku kanë djegur librat publikisht, si libri i Veton Surroit dhe ai i Blendi Fevziut”.

“’Dita e Librit të Ndaluar’ synohet të shndërrohet në ngjarje tradicionale përmes së cilës do të trajtohen tema të shumta që në një apo tjetër mënyrë atakojnë me censurën ndaj mendimit të lirë”.

I pyetur se cili është mesazhi për institucionet apo vetë qytetarët për këtë aktivitet, ai ka thënë se sot ka më shumë auto-censurë, se sa censurë.

“Sot ka më shumë auto-censurë që vjen nga frika ndaj shoqërisë apo grupeve të ndryshme politike”.

Kushtrim Mehmeti, regjisor, tha se me anët të kësaj performance kanë synuar që  të rikujtojnë të kaluarën, kur auto-censura e atëhershmit mundet mu kthyer në një censurë, raporton EO.

“Performance është e bazuar në të kaluarën. Auto-censura e atëhershmit mundet mu kthyer në një censurë. Është rikujtim i komunizmit. Kemi dashtë me shpreh diçka që me e përkujtuar të kaluarën. Është më shumë diçka rikujtuese”.

Në ora 15, në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, të interesuarit do të mund t’i bashkohen diskutimit të hapur me shkrimtarin dhe publicistin Veton Surroi, autor i librit “Këmbët e gjarprit”, libër ky që në vitin 2014, u organizuan aksione ku u dogjën kopjet e tij publikisht në Skenderaj dhe Ferizaj.

“Dita e Librit të Ndaluar” përmbyllet në mbrëmje në ambientet e Parkut të Qytetit me shfaqjen e filmit “Fahrenheit 451” nga ora 19:00, që realizohet në bashkëpunim me “Film n’Park”.

Të ngjashme