Shënohet progres në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit të profilit të lartë, 263 sosh u zgjodhën këtë vit

Prishtinë | 10 Dhj 2019 | 15:15 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit, mban tryezën “Amnistia e korrupsionit të profilit të lartë, sinjalizimet e padëgjuara të korrupsionit nga drejtësia, raporton Ekonomia Online.

Gëzime Hashani nga KDI tha se nga monitorimi i 854 seancave që kanë qenë të përfshirë 443 persona të profilit të lartë, kanë arritur të zgjidhen 263 raste të korrupsionit ndaj 483 personave.

Ndërsa sipas saj, numri më i madh i rasteve të zgjidhura i përkasin Prishtinës.

“Kemi monitoruar 854 seanca në të cilat përfshihen 443 persona të profilit të ulët, 357 persona të mesëm dhe 54 profilit të lartë. Prokuroria e Shtetit gjatë kësaj periudhe ka zgjidhur 263 raste të korrupsionit ndaj 483 personave të përfshirë që do të thotë ky institucion ka arritur të zgjedh 16 raste më pak se sa që ka pranuar. Numri më i madh i rasteve të zgjidhura i përkasin Prishtinës me 106 raste dhe 195 persona. Prokuroria Speciale e Kosovës  në vitin 2019 ka vazhduar me trendin e ikjes së përgjegjësive dhe nga 1 janari deri me 30 shtator nuk ka ngritur asnjë rast të korrupsionit ndaj profilit të lartë, përderisa PSRK ka zgjidhur 2 raste me 13 persona ndërsa ka në punë 27 raste me 150 persona”, tha ai.

Gëzim Shala nga IKD tha se sinjalizuesit duhet të kompensohen. Ai tregoi se gjate monitorimit të një konkursi ne Inspektoratin Policor të Kosovës kanë gjetur 15 shkelje.

“Me dy janar ka hyrë në fuqi ligji për Mbrojtjen e sinjalizuesve. Ky ligj përcakton të drejtat e zgjeruara për sinjalizuesit. Sinjalizuesit ka të drejtë mbrojtjen e identitetit të tijë. Çështja e kompensimit të sinjalizuesve është çështje që e kemi ngritur, sepse në SHBA ata kompensohen ku ka pas raste se janë kompensuar me 250 milionë euro. Rasti në Inspektoratin Policor të Kosovës ku është shpallur një konkurs për 17 persona dhe nga auditimi i brendshëm janë gjetur 15 shkelje.

Nënkryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Arben Hoti, tha se ka një progres në luftën kundër korrupsionit të profilit të lartë.

“Lufta për korrupsionin duhet të ndërtohet mbi tri premisa siç është nevoja për luftën kundër korrupsionit , instalimi i shtetit të së drejtës është premisë e dytë e cila nënkupton që institucionet me punën e tyre të gjithë të jenë të barabartë para ligjit dhe kjo arrihet me zbatimin e ligjit që të pandehurit të marrin dënimin e duhur dhe aktgjykimet të zbatohen në prova të ligjshme. Në gjykatën themelore në Prishtinë kemi vepruar sipas kërkesave. Ka një progres në luftimin e profilit të lartë.

Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni tha se pavarësisht përpjekjeve, nuk janë të kënaqur me luftën kundër korrupsionit. Ai tha se janë të përkushtuar që të angazhohen për uljen e këtyre rasteve.

“Korrupsioni nuk është fenomen që ka lindur vetëm në Kosovë sepse këtë nuk kanë mundur me eliminuar edhe shtetet më demokratike po jemi duke bërë përpjekje të vazhdueshme me e largu këtë. Të gjithë nuk jemi të kënaqur me luftën që është duke u zhvillua kundër korrupsionit. Si Këshill Prokuroial i kemi dhënë prioritet dhe jemi në vizitë në prokuroritë e Kosovës dhe vetëm me raporte penale prej janarit deri në qershor janë trajtuar 98%.I kemi trajtuar 94,3 % të kallëzimeve penale”, tha ai.

“Ne po punojmë që prokurorinë speciale me e bë me departamente të tjera. Është objektiv e mirë që është bërë ligji për sinjalizuesit dhe po i trajtojnë me prioritet sepse ata nuk lajmërojnë vetëm për çështje penale po edhe etike”, tha Hyseni.

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sylë Hoxha, tha se vitit 2019 ka dorëzuar 4 aktakuza ndaj 12 personave për vepra korruptive.

“Të gjitha rastet me natyrë korruptive janë me prioritet për ne. Gjatë vitit 2019 kjo prokurori i ka dorëzuar 4 aktakuza ndaj 12 personave për vepra penale të korrupsionit ndaj një prokurori , tre zyrtarë policor dhe shumë të tjerë zyrtarë të lartë. Nuk ka nevojë për ndarje të përgjegjësive sepse secili prej nesh e ndan përgjegjësinë për punët e veta”, tha ai.

Të ngjashme