Shërbyesit civilë paralajmërojnë grevë – kërkojnë rritjen e koeficientit

Prishtinë | 18 Jan 2019 | 14:20 | Nga Ekonomia Online

Sindikata e të Punësuarve të Komunës së Mitrovicës në bashkëpunim me Sindikatat e disa komunave të tjerë kanë mbajtur një konferencë për media lidhur me projektligjin për pagat e shërbyesve civilë në komunën e Mitrovicës.

Në këtë mbledhje ishin kryetari i Sindikatës së të Punësuarve të Mitrovicës, Mehmet Bajrami, ai i të punësuarve të Vushtrrisë, Ramadan Kutllovci, ai i Rahovecit, Ilir Haxhijaha, si dhe anëtarët e tjerë të kësaj Sindikate, njofton Klan Kosova.

Ata po kërkojnë që ta ndryshojnë koeficientin deri më 21 janar përndryshe do të hynë në grevë.

Qëllimi i këtij takimi ishte projektligji për pagat e shërbyesve civil me ç’rast është thënë se shërbyesit civil janë të diskriminuar karshi niveleve tjera.

Kryetari i Sindikatës së të punësuarve në Komunë të Mitrovicës, Mehmet Bajrami, tha se ne kërkojmë një qasje më të dinjitetshme për punëtorët e nivelit komunal pasi që janë kategoria më e përbuzur dhe e diskriminuar sa i përket projektligjit për paga.

“Kryetari i Sindikatës, Mehmet Bajrami tha se kërkojnë rritjen e koeficientit për shërbyesit civilë në nivel komunal për 30% duke përfshirë çdo nivel, duke thënë se janë të diskriminuar me koeficientin që kanë tash derisa ka shtuar se zyrtarë të tjerë komunal me atë koeficient që është paraparë me projektligjin për paga pritet t`u ulet paga deri në 40 për qind”. thuhet në komunikatë.

Prandaj, përfaqësuesit e Sindikatës së të Punësuarve komunalë i kanë bërë thirrje komisionit përkatës që ta ndryshojnë. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh atëherë ata thanë se do të marrin vendim për hyrje në grevë dhe se grevës pritet t’i bashkohen edhe disa komuna të tjera.

“Ne ia kemi drejtuar nivelit qendror kërkesën me shkrim dy herë dhe kemi qenë pjesëmarrës edhe në takimet në Kuvend të Kosovës, konkretisht Komisionin Parlamentar dhe kemi pritur mirëkuptim nga Komisioni për nivelimin e koeficienteve të shërbyesve civil me kategoritë tjera, por kemi marr përgjigje negative nga të njëjtit me arsyetimin se kërkesa jonë nuk ka qenë e arsyeshme”, ka thënë Bajrami.

Udhëheqësit e Sindikatës së të punësuarve të komunës se Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Rahovecit të cilit ishin prezentë kanë thënë se kanë marrë mbështetjen edhe prej komunave tjera, duke shtuar se në rast të mos përfilljes së kërkesave të tyre në fillim të javës së ardhshme do të bëjnë publike datën e fillimit të grevës nga shërbyesit civil në Komunën e Mitrovicës dhe më gjerë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme