Shërohet pacientja zero me Coronavirus në Kosovë, gëzim në Klinë

Prishtinë | 01 Pri 2020 | 16:56 | Nga Ekonomia Online

Pacientja e parë e prekur në Kosovë me coronavirus ishte nënshtetasja italiane që kishte punuar në Klinë.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Klinës, Hekuran Sejdiu ka konfirmuar se pacientja në fjalë tashmë rezulton e shëruar nga coronavirusi.

“Është një lajm tepër i gëzueshëm për ne që jetojmë në Klinë. I falënderoj qytetarët e Klinës që kanë zbatuar në përpikmëri rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik”, tha ai.

Sejdiu thotë se nuk mund të flitet për kalim rreziku në këtë komunë, por shton se një vatër e coronavirusit tashmë është shuar me shërimin e plotë të pacientes.

“Të gjithë anëtarët tjerë të kampit [ku ka punuar e infektuara] kanë rezultuar negativ, dhe me vet shërimin e pacientes mund të konsiderojmë se një vatër është shuar”.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Klinës thotë se për fat të mirë edhe kontaktet tjera që ka pasur personi i infektuar janë testuar se të gjithë kanë rezultuar negativ nga COVID-19.

“Gjendja në Klinë është stabile, por ne nuk guxojmë të pasivizohemi pasur parasysh se jemi në kufi edhe me Komunën e Malishevës ku ka shumë të prekur”, tha ndër të tjera Hekuran Sejdiu.

Të ngjashme