Shkaku i erërave, në rajonin e Pejës së paku dhjetë lokalitete ende pa rrymë

Prishtinë | 05 Shk 2020 | 13:16 | Nga Ekonomia Online

Era e fortë që ka filluar të fryj të martën dhe ka vazhduar gjatë natës dhe në disa lokalitete edhe gjatë ditës së mërkurë ka shkaktuar dëme të mëdha në rrjetin e tensionit të ulët dhe atij të lartë në rrjetit elektrik në rajonin e Pejës, ku shumë lokalitete ende janë pa energji elektrike.

Më e prekura si zakonisht në rajonin e Pejës është komuna e Istogut, ku aktualisht janë së paku dhjetë vendbanime që kanë mbetur pa energji elektrike, raporton Koha Ditore.

“Nuk është keq gjendja në terren, deri me rrymë elektrike. Era ka shkaktuar shumë dëme në rrjet dhe ka disa lokalitet që janë ende pa rrymë. Ekipet e KEDS-it tërë natën kanë punuar në terren dhe kanë vështirësi se era ende është duke fryrë me vrulle. Janë aktualisht së paku dhjetë vendbanime që nuk kanë rrymë në komunën e Istogut. Nga era, dëmet nëpër objekte janë minimale, por problemi më i madh aktualisht është furnizimi me rrymë”, tregoi për Kohën Ditore, drejtor komunal i Istogut për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Enver Rugova, për gjendjen në këtë komunë.

Me probleme në rrjetin elektrik po përballet edhe komuna e Klinës, ndonëse më pak se Istogu.

“Kemi një raportim se era ia ka heq kulmin një shtëpie, por dëmet janë më të mëdha në rrjetin elektrik. Për momentin vetëm në fshatin Cerovik dhe një pjesë e fshatit Kpuz janë pa rrymë. Në atë pjesë janë dëmtuar së paku 10 shtylla dhe kemi angazhuar një ekskavator të kompanisë ‘Hidrodrrni’ për me i ndihmua riparimet e rrjetit në terren. Prishjet tjerat janë riparuar, pasi edhe gjatë natës KEDS-i ka punuar me tri ekipe dhe e ka sanuar gjendjen, e cila ka qenë shumë e keq pa rrymë në shumë lokalite. Sot ka pas problem me pjesën e fshatit Jagodë, ku gjithashtu është rregulluar dëmi”, tha drejtori për Shërbime Publike, Iber Elezaj. Njëjtë si në këto dy komuna, edhe në Komunën e Deçanit janë disa lokalitet që ende nuk kanë rrymë.

“Ka pas dëme edhe te ne në rrjetin elektrik se dëme materiale nuk ka pas të raportuara. Janë pesë apo gjashtë vendbanime pa rrymë në rajonin e Vokshit”, tregoi drejtori i Shërbimeve Publike dhe për Mbrojtje e Shpëtim, Izet Zenuni, gjendjen aktuale në këtë komunë.

Derisa në komunën e Pejës, gjithashtu ka dëme në rrjetin elektrik dhe lokalitete pa energji elektrike, por siç tha drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Muhamet Mahmutaj dëme materiale nuk ka ende të raportuara.

“Edhe në komunën tonë në disa lokalitet kanë probleme me furnizim me energji elektrike për shkak të prishjeve nga era në rrjet”, tha ai, pa treguar konkretisht se cilat lokalitete kanë probleme me furnizim me energji elektrike. Dëmet ne rrjetin elektrik në të dy tensionet i ka konfirmuar për Kohën Ditore, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, i cili beson se gjatë ditës do të sanohen të gjitha prishjet në rrjetin elektrik në këtë rajon.

“Ka dëme të konsiderueshme në rrjetin e elektrik në të dy tensionet. Ekipet janë në terren dhe e kanë sanuar pjesën më të madhe të prishjeve, por që prishjet po vazhdojnë të shfaqen për shkak se era ende po vazhdon të fryj edhe në atë rajon”, tha Buzhala.

Të ngjashme