Shkëlqim Hysenaj jep dorëheqje nga AGK-ja

Prishtinë | 30 Nën 2017 | 16:51 | Nga

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Shkelqim Hysenaj, ka dhënë dorëheqje nga kjo detyrë.

Në një postim në Facebook, Hysenaj ka treguar se largohet nga AGK-ja për vazhduar karrierën profesionale në Radio Evropa e Lirë.

Postimi i plotë i Hysenajt:

Të dashur kolegë dhe bashkëpunëtorë,

Dua të ju njoftoj se që nga dita e nesërme unë nuk do të jem më Kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës. Nga fillimi i këtij muaji do t’i bashkohem një ekipi shumë të ri, njëkohësisht shumë i ‘vjetër’ nga përvoja në kuadër të Radio Free Europe/Radio Liberty.

Ditë më parë kam njoftuar bordin e organizatës për vendimin tim për tu larguar nga AGK-ja dhe bashkimin tim profesional me organizatën mediale RFE/RL, organizatë kjo e themeluar nga Kongresi Amerikan e cila operon në 23 shtete të ndryshme të botës.

Përvoja në AGK ka qenë e jashtëzakonshme si për mua ashtu edhe për stafin dhe anëtarët e bordit. Tri vite më parë rikthyem në ‘jetë’ këtë organizatë së bashku me ish-kryetarin Zekirja Shabani dhe anëtarët e bordit: Arsim Halili, Fidan Rama, Enis Veliu, Dardan Hoti, Arta Berisha, Blerta Aliu, Arben Llapashtica, Petrit duke e ditur se AGK-ja është ndër organizatat më të rëndësishme në kosovë jo vetëm nga rëndësia por edhe për nga numri i madh i anëtarëve e që aktualisht ka arritur në rreth 700.

Kur e morëm përsipër rifunksionalizimin e AGK-së, e kishim në dispozicion vetëm një folder (certifiaktë), ndërkohë që për një kohë të shkurtër arritëm që të rikthejmë komunikimin me donatorë dhe partnerët: vendor, regjional e ndërkombëtar. U bëmë pjesë e EFJ, IFJ, Rrjetit Regjional dhe me e rëndësishmja ishte arritja e komunikimit normal dhe vendosjes së standardeve të reja të bashkëpunimit, me Prokurorinë e Shtetit, Gjykatat dhe Policinë e Kosovës, gjithmonë me qëllim të rritjes së nivelit të sigurisë së gazetarëve në vend.

Pa u zgjatur shumë, dua të kërkoj nga të gjithë kolegët gazetarë që të përkrahin gjithmonë AGK-në, jo vetëm atëherë kur kanë nevojë (kjo ndodh shpesh), porse edhe atëherë kur mund të japin ndonjë kontribut profesional që do të mund të ndikonte në përmirësimin e pozitës së gazetarëve si dhe rritjen e standardit profesional të raportimit në media.

Duke i falënderuar të gjithë ata persona që na përkrahën në rrugëtimin tonë, posaçërisht përkrahjen e madhe që unë kam pasur në krye të AGK-së, ju njoftoj se stafi i organizatës do të bëjë shumë shpejt publike detajet për organizimin e Kuvendit të ri në të cilin zgjidhet kryetari e i cili sipas statutit do të ushtroj mandatin deri në maj të vitit 2019.

Gëzuar festat e fundvitit 🙂

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme