Shkencëtarja shqiptare që ka luhatur teorinë e “Big Bang-ut”

Prishtinë | 22 Tet 2016 | 09:58 | Nga

Përballë saj janë një numër i konsiderueshëm të interesuarish, kryesisht studentë që e dëgjojnë me vëmendje. Laura Mersini-Houghton ligjëron me kompetencë, me gjallëri e me elokuencë duke bërë përpjekje që edhe çështjet kaq të ndërlikuara të astrofizikës, kozmologjisë që merren me universin, kohën e krijimit të tij etj. t`i bëjë sa më të kapshme për publikun. Ndërsa ky publik, edhe pse ka ardhur në amfiteatrin e Universitetit Teknik të Cyrihut ETH, sigurisht nuk është i specializuar në fushën ku shkencëtarja e njohur shqiptare është tashmë autoritet në nivel planetar.

Shumica e të pranishmëve kanë ardhur nga kureshtja që të shohin një bashkatdhetare që ka bërë emër në një lëmë pothuaj të pashkelur nga shqiptarët, në kozmologji dhe astrofizikë. Ajo është në Cyrih, e ftuar nga Shoqata e Studentëve shqiptarë të Cyrihut dhe portali dialogplus. Prezantimin e saj e bën profesori i fizikës në universitetin ETH, Toni Shiroka, i cili ka bërë edhe moderimin.

Në ligjëratën e saj, zonja Mersini, që është profesoreshë në universitetin Universitetin e Karolinës së Veriut, në SHBA ka shtjelluar probleme lidhur me teoritë aktuale për krijimin e universit. Në këtë kontekst ajo ka mbrojtur teorinë e saj që vë në pikëpyetje teorinë e “Big Bangut”. Sepse, dr. Mersini pyet: çfarë ka pasur para kësaj dhe këtë e shtjellon në Teorinë e saj të “Multiversit” që domethënë se ka më shumë se një univers. Sipas saj, teoria e Big Bang-ut është e pamjaftueshme për të shpjeguar krijimin e universit. Dhe, kjo teori e kozmologes shqiptare, ka pasur një aprovim nga qarqe shkencore të avancuara në botë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme