Shkrimtarët nga diaspora prezantojnë veprat e tyre letrare

Prishtinë | 06 Gus 2018 | 13:28 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është mbajtur ora letrare me krijues dhe shkrimtarë nga diaspora, organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, në bashkëpunim me Lidhjen e Krijuesve Shqiptarë të Mërgatës.

Në fillim të këtij takimi u mbajt një minutë heshtje për nderim të jetës dhe veprës së shkrimarit Adem Demaçi, i cili ndërroi jetë ditë më parë. Mërgimtarët Demaçin e cilësuan si simbol të qëndresës kombëtare, raporton Ekonomia Online.

Zëvendësministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Faruk Nura, në emër të ministrit të diasporës u uroi mërgimtarëve mirëseardhje.

“Dua t’ju them se diaspora nuk kishte vetëm shkrimtarë, krijues, por të gjitha profilet që iu dashtën atdheut tonë që ka pasur nevojë në ditë të vështira”, tha Nura.

“Ministria e Diasporës do t’ju trajtojë si njerëz tanë sepse jeni të tillë, nuk jeni të huaj, jeni në vendin e juaj”, shtoi Nura drejtuar krijuesve mërgimtarë.

Ndërsa, këshilltari politik i kryeministrit Ramush Haradinaj, Halil Matoshi, u uroi po ashtu mirëseardhje mërgimtarëve në emër të kryeministrit të Kosovës.

“Republika e Kosovës është atdheu juaj, të cilit ju në vazhdimësi i keni dhënë besnikëri dhe dashuri”, tha Matoshi.

“Ju qytetarë keni një shtëpi, adresë, shtetin e pavarur i cili është kulmi i shtëpisë sonë të përbashkët, i vlerave shoqërore e artistike”, tha ai.

Matoshi iu drejtua mërgimtarëve duke i porositur që shtetit të Kosovës t’i jepni më shumë dashuri, sepse Republika do t’i bëjë krenarë kudo që ata janë.

Drejtori i Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani, Bekim Brestovci, tha se mërgimtarët kanë dhënë shumë për Kosovën, po ashtu edhe me prezencën e tyre në kohën më të vështirë që pati Kosova, në luftën për liri, raporton EO.

Brestovci u bëri thirrje krijuesve mërgimtarë që të shkruajnë më shumë rreth tematikës së luftës dhe sukseseve të mërgimtarëve.

“Kemi kaluar kohëra të ndryshme të luftës dhe jemi mirënjohës që përmes luftës sollëm lirinë, por fati deshti që koha e tyre të ishte e limituar dhe ne tani të shijojmë lirinë dhe sakrificën e tyre që ata bënë për atdheun”, tha Brestovci.

Brestovci i përgëzoi për këtë event, i cili është i 5-ti me radhë.

“Diaspora shqiptare dhe populli shqiptar po korrë rezultate të mira në fushën afariste dhe spektrin intelektual dhe qasjuni kësaj tematike, sepse do të jetë frymëzim edhe për të tjerët”, tha Brestovci.

Autori Anton Marku i tha disa fjalë për jetën e Adem Demaçin ku tha se Demaçi ishte simbol i sakrificës dhe rezistencës kombëtare.

“Ai ishte një ndër personat që arriti ta bashkëdyzojë kapacitetin intelektual dhe guximin duke i vënë këto dyja në shërbim të popullit”, tha Marku për Demaçin.

“Ai do mbetet në kujtesë si shkrimtar i përmasave të mëdha, veprat e tij dhe romani ‘Gjarpijtë e gjakut’ vazhdon të konsiderohet model i trajtimit të temave të mëdha përmes shkrimit”, tha Marku.

Në fund të takimit u prezantuan librat dhe veprat nga krijuesit mërgimtarë ku secili prej tyre tregoi për shkrimet e tij para të pranishmëve.

Të ngjashme