Shllaku: Masat që u morën për ndotjen e ajrit – naive

Prishtinë | 07 Shk 2018 | 12:55 | Nga

Javën që shkoi autoritetet e vendit, më saktësisht Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Ambientit u përfshinë në një eksperiment. Në përpjekje për ta zbutur ndotjen e ajrit, këto dy institucione ndaluan për dy ditë qarkullimin e veturave në qendër të kryeqyteqytetit. Kur kjo masë mori fund Shpend Ahmeti e shpalli të suksesshëm eksperimentin. Por, krejt këtë po e quan naive, Luan Shllaku Drejtori i KFOS, i cili thotë se ky veprim u ndërmorrë vetëm për të treguar se “kinse po bëhet çmos për ta zgjidhur problemin”.

Drejtori ekzekutiv i KFOS në një bisedë për Gazetën Express thotë se idetë që propozuan javën që shkoi institucionet për të zbutur ndotjen e ajrit janë naive.

“Masa e ndalimit të qarkullimit të veturave nuk ka qenë fare efektive e madje as që është pritur një gjë e tillë, sepse do te ishte shumë naive të thuhet se dikush nga qeveriatarët përnjëmend ka besuar se ndotja do të zvoglohet me ndaljen e makinave në një pjesë të qytetit. Nuk e kuptoj se çka ka dashtë “autori” me na thënë me këtë vepër” thotë Shllaku.
“Mendoj se ata që e morën këtë vendim nuk janë kaq naivë që të besojnë se kjo ishte masa e duhur për ta ndërmarrë. Besoj se ishin të prirur të mendojnë se qytetaria kosovare do të besoj se kjo qeveri është duke bërë çmos që ta zgjidh problemin. Thjeshtë, nuk kanë ditur më shumë se kaq”, ka shtuar Shllaku.

E derisa KEK’u largon përgjegjësitë nga supet duke thënë se termocentralet nuk janë ndotësit kryesor, ndërsa Ministrja e MMPH-së dhe kryetari Ahmeti vazhdojnë të theksojnë se gjendja e ajrit prishet nga termocentralet, Shllaku thotë se më mirë është të punohet në këtë drejtim sesa të luhet loja e gjëegjëzes.

“Është qesharake, të shohësh sot se si është bërë një treg i tërë, ku akterë të ndryshëm vihen në pozitën e gjetjes së zgjidhjes së një gjëegjëze kombëtare: kush e ndoti ajrin? Këtë hapësirë e krijuan autoritetet kompetente që do të duheshin ta dinë zgjidhjen, e që nuk e patën haberin se cila është ajo! Mirëpo në këtë mes sipas mendimit tim Kryetari i Prishtinës e zgjidhi gjeëgjëzën si duhet”, ka thënë Shllaku me ironi.

Sipas tij, nuk është koha që faji të hidhet te njëri – tjetri mirëpo të merren veprimet konkrete. Shllaku i cili është mjaft aktiv në këto tema thotë se ka shumë metoda që mund të identifikohet shkaktarët ndotjes.

“Është një problem i rëndë dhe shumë kompleks. Meqenëse ka akoma dilema se cilët janë shkaktarë të kësaj situate dhe cili është kontributi i secilit ndotës potencial, duhet që menjëherë të zgjidhet kjo dilemë, dhe ajo mund të zgjidhet fare lehtë. Ne sot posedojmë mjaftë të dhëna për ta bërë një analizë të mirëfilltë në këtë drejtim. Nuk e di pse ka vonesa në këtë drejtim? Mund të realizohet për një kohë të shkurtër” thekson ai.

“Sa i përket veprimeve konkrete, ato janë të shumta, dhe duhet të ndërmerren sa më parë. Pse jo edhe të ndalet ndonjë bllok i termocentraleve në kohën e krizave të mëdha me ajrin – zine se ka ra ai bllok për një kohë, që ndodhë shumë shpesh. Atëherë mund të marrim përgjigjen më direkte se cili është ndikimi potencial e TEC-eve. Por, mbi të gjitha duhet të përgatitemi mirë për sezonin e ardhshëm të inversioneve meteorologjike – situatave që do të na sjellin ndotje enorme të ajrit”, thekson Shllaku.

Javët e kaluara Prishtina ka qenë në gjendje alarmante për ndotjen e ajrit. Por, sipas Shllakut,kjo gjendje është e vjetër me dekada dhe është aktualizuar vetëm pasi kanë filluar matjet.

“Diferenca është që atëherë nuk kemi dashur ta dimë si është ndotja ajrit sepse njohuri dhe informacion ka pasë vazhdimisht. Por, një aplikacion i Ambasadës Amerikane e ka ndërruar situatën, besoj për të mirë, sepse tash është shtuar presioni qytetarë për gjetjen e zgjidhjes”, ka thënë Drejtori i KFOS.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme