Shoferët e autoambulancës së QKMF-së në Pejë mbajnë vetëm ndërrimin e ditës

Prishtinë | 16 Dhj 2020 | 16:39 | Nga Ekonomia Online

Ka pesë muaj që autoambulancat e Urgjencës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Pejë nuk drejtohen në ndërrimin e natës nga vozitësit e kësaj urgjence, por nga mjeku ose infermieri të cilët janë në ndërrim.

Kjo ka shkaktuar reagim të shoferëve, të cilët kanë pritur se gjendja do të ndryshojë dhe ata do të mund serish të punojnë edhe në ndërrimin e natës, kur kanë edhe me tepër orë pune, që paguhen edhe më shumë. Por, situata e tyre nuk ka ndryshuar.

Njëri prej shoferëve që ka kontaktuar KOHA, ka folur vetëm në kushte anonimiteti, nga frika se mund t’i hakmerret ndokush nga drejtuesit e shëndetit primar në Pejë.

“Para pesë muajve ka sjellë vendim drejtori i Shëndetësisë që shoferët mos me dal në ndërrim të natës me vozitë autoambulancën. Që pesë muaj autoambulanca gjatë ndërrimit të natës vozitet nga mjeku ose tekniku, që janë në ndërrim. Ky ka qenë urdhër i drejtorit të Shëndetësisë, Petrit Loci. Nuk na kanë dhënë asnjë dokument për këtë vendim, por veç gojarisht na është thënë për vendimin që kanë sjellë”, thotë ai.

Ky vendim këta shoferë i ka goditur edhe financiarisht, pasi rrogat mujore u janë zvogëluar për gati 200 euro.

“Deri para pesë muajve kemi marrë 450 deri 500 euro në muaj me punën e ndërrimit të natës. Tash veç 300 euro marrim. Punoj 12 orë një ditë, e katër ditë tjera pushoj. Punojmë më pak dhe rroga marrim shumë më pak. Peja është qyteti i tretë nga madhësia në Kosovë e shoferët e autoambulancave nuk punojnë në ndërrimin e natës”, ankohet ai.

Mirëpo anën tjetër, drejtori i Shëndetësisë, Petrit Loci, mohon që atë vendim ta ketë sjellë ai.

“Nuk e kam sjell unë atë vendim. Është çështje e organizimit të brendshëm të QKMF-së”, është përgjigjur shkurt ai.

Ndërkaq drejtoresha e QKMF-së, Myrvete Salihi, i ka thënë KOHËS se ky vendim është sjellë nga aspekti menaxherial.

“Nevoja ka qenë ashtu që për shkak të gjendjes së pandemisë shoferët na duhen në ndërrimin gjatë ditës, që e përfshinë një orar mjaftë të gjatë, nga ora 7.00 deri në 19.00, duke u nisur nga ajo që urgjenca deri në ora 22.00 ka fluks të pacientëve, por jo ashtu siç ka në orët e paradites dhe gjatë ditës, e kemi pa të arsyeshme që ngarkesa e shoferëve të jetë vetëm në ndërrimin e ditës. Kurse nga ora 19.00 deri në ora 7:00 të mëngjesit na është dukur se është një staf i tepruar me prezencën edhe të shoferëve, ngase kemi menaxhuar mirë situatën dhe që pas orës 24:00 shoferët nuk kanë asnjë funksion, vetëm qëndrojnë në objekt”, tregon Salihi.

Një arsye tjetër, sipas saj është edhe krijimi i një ekipi mobil nga QKMF-ja pasi është shfaqur pandemia e Covid-19. Me këtë ekip mobil, i cili në terren nuk përdorë autoambulancë, siç thotë Salihi është shtuar menaxhimin dhe trajtimin e pacientëve nëpër shtëpi.

“Krijimi i këtij ekipi mobil ka qenë e nevojshme sepse përpara pandemisë urgjenca ka qenë e obliguar që t’i kryej aplikimin e terapisë pacientëve nëpër shtëpia dhe mbetnin rastet urgjente me vonesë të kryhen. Ekipi mobil është një ndihmesë shumë e madhe sepse kryen shumë shërbime, më tepër sesa t’i mbanim shoferët e të dilet me autoambulanca. Kështu që e kam pa më të arsyeshme që të krijohet një ekip mobile sesa të qëndrojnë shoferët, që deri diku nuk janë të nevojshëm edhe në atë kohë që kanë punuar”, tregon Salihi.

Ekipa mobile ka automjet për terren por që nuk është autoambulancë dhe nuk transporton pacientë, por vetëm ofron shërbime mjekësore nëpër shtëpia pacientëve me sëmundje të ndryshme, që nuk mund dalin vet, por dhe të mos rrezikohen edhe më tepër nga infektimi i mundshëm me Covid-19 po që se do të shkonin për të marrë atë terapi në ndonjërën prej qendrave mjekësore.

Për dallim nga QKMF-ja në Pejë, në QKMF-të e tri komunave tjerat të këtij rajoni, në Istog, Klinë e Deçan, shoferët e autoambulancave janë pjesë e kujdestarisë bashkë me mjekët dhe infermierët.

“Shoferët punojnë edhe ndërrimin e natës. Punojnë 24 orë. Ndërrimin e natës kemi kujdestar një shofer. Autoambulancën e vozisin te ne vetëm shoferët”, thotë Selman Berisha, drejtor i QKMF-së në Deçan.

Njëjtë është edhe në QKMF-në në Istog ku në kujdestari janë tre shoferë dhe sipas drejtorit të QKMF-së në Istog, Ymer Vuthi para ditës janë dy vozitës dhe ndërrimin e natën një vozitës.

“Çdo ndërrimi i natës e ka autoambulancën dhe shoferin e vet. Plus e kemi ekipin me autoambulancë që e vozitë vozitësi për vizita shtëpiake për dyshim në Covid ose ata që janë me Covid me ua dhënë terapinë. Në rast se shfaqen shumë raste dhe ka nevojë të aktivizohen edhe autoambulanca tjera, atëherë autoambulanca tjetër drejtohet nga ndonjë teknik, e ka pas rast që e kam vozit edhe unë kur ka qenë rast urgjent”, thotë Ymer Vuthi, drejtor i QKMF-së në Istog.

Gjithashtu edhe në QKMF në Klinë, siç thotë Shemsedin Berisha, drejtor i Shëndetësisë në Klinë, në kujdestarinë e ndërrimit të natës ka rregullisht shofer të autoambulancës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme