Shoqata “Autizmi” organizon sot aktivitete të shumta

Prishtinë | 02 Pri 2018 | 11:57 | Nga

Sot shënohet Dita Botërore e Autizmit. Për këtë ditë janë organizuar aktivitete të ndryshme edhe në Kosovë.

Nora Sherifi, koordinatore e Shoqatës “Autizmi” në Prishtinë, ka thënë për Telegrafin se kjo shoqatë është themeluar në vitin 2011 dhe trajton rreth 40 fëmijë me autizëm.

“Fëmijët tek ne marrin trajtim ditor, thjesht shërbime terapeutike. Sot ditë e hënë dy prill është Dita Ndërkombëtare e personave me Autizëm dhe kemi organizuar disa aktivitete për fëmijë duke filluar qysh nga ora 11:30 tek sheshi ‘Zahir Pajaziti’ afër Grandit, marshin me fëmijë deri tek sheshi ‘Ibrahim Rugova’. Pastaj, prej orës 12:30 fillon koncerti dhe një koktej i vogël për fëmijë”, theksoi Sherifi.

Ajo theksoi se shoqata i ka edhe gjashtë qendra tjera, në  Prizren, Pejë, Ferizaj, Lipjan dhe Podujevë.

Koordinatorja Sherifi potencoi se trajtimin fëmijët në këtë shoqatë e bëjnë me vetëfinancim, duke përjashtuar kështu rastet sociale.

“Pagesën e bëjnë prindërit dhe një orë kushton pesë euro. Me mundësitë që i kemi i trajtojmë edhe fëmijët me raste sociale, pa pagesë. Aktualisht kemi pesë fëmijë me raste sociale”, tha ndër të tjera Sherifi.

Në mesin e terapistëve që punojnë në këtë shoqatë është edhe Florenta Alimusaj, e cila në një prononcim për Telegrafin tha se aty aplikojnë planin ABA, i cili ka për qëllim që sjelljet jo të pëlqyeshme tek këta fëmijë, të zëvendësohen me sjellje të mira.

“Këtu punojmë me fëmijët me autizëm, me planin ABA….Ky plan ka për qëllim sjelljet jo të mira të  fëmijëve t’i zëvendësojmë me sjelljet të mira…Kemi detyra të ndryshme, varet  fëmija  sa është i avancuar e sa nuk është…Deri më sot ka pasur shumë rezultate të mira, se në fillim para se me ardh fëmija në qendrën tonë bëhet vlerësimi se deri ku dhe çka dinë, pastaj ne vazhdojmë me vlerësim. Pas gjashtë muajve bëjmë prapë vlerësimin dhe shohim se si ka qenë përpara se të vij dhe si është deri në ditët e sotme. Këtu në qendrën tonë, mundet dhe prindi të vij të vëzhgojë gjatë terapisë që merremi me fëmijët me luajt rolin e njëjtë si terapist. Varet tash, disa prej fëmijëve janë dy herë në javë dhe janë nga një orë ose dy orë. I kemi dy raste ku është një vëlla dhe  një motër të cilët janë çdo ditë nga pesë orë. Varet pak edhe nga kushtet ekonomike që kanë familjet ose largësia, sepse vijnë edhe nga vendet e ndryshme që janë më larg se në Prishtinë”,  u shpreh Florentina Alimusaj.

Ndryshe, sipas klasifikimit ndërkombëtar të sëmundjeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, autizmi shfaqet tek fëmijët para moshës tre vjeçare dhe shoqërohet me vonesa në ndërveprimet e tyre shoqërore, gjuhë, shenja apo lojëra përfytyruese ndërsa specialistët pohojnë se autistët nuk kanë pengesa fizike.

Të ngjashme