Shoqata e Invalidëve të Luftës paralajmëron protestë në shtator

Prishtinë | 20 Gus 2016 | 16:28 | Nga

Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së nuk është e kënaqur me paratë e ndara nga qeveria për rehabilitimin shëndetësor. Kjo shoqatë në një reagim u ka bërë thirrje krerëve të shtetit që t’i plotësojnë kërkesat e saj, përndryshe do të përballen me protesta në shtator.

“SHIL i UÇK-së kërkon nga Presidenti, Kryeministri dhe Kryeparlamentari që kërkesat e SHIL të UÇK-së urgjentisht të shqyrtohen brenda këtij muaji, ose nga 1 shtatori do të ballafaqohen me protesta të invalidëve deri në realizimin e kërkesave te tyre, andaj çka do që ndodh gjatë atyre protestave përgjegjësinë do ta marrë vetë Qeveria e Kosovës”, thuhet në reagim.

Shoqata bën me dije se më 11 gusht gjatë një takimi ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi u ka premtuar plotësimin e shpejtë të kërkesave të tyre, por kjo nuk ka ndodhur.

Sipas shoqatës mjetet e dhëna nga qeveria për rehabilitimin e invalidëve në mbledhjen e djeshme mbulojnë vetëm një pjesë të vogël të kërkesave të invalidëve të luftës së viteve 1997-1999.

Shoqata bën me dije se qeveria në përgjithësi për rehabilitim të invalidëve në vitin 2016 dha 10 mijë euro, ndërsa për rehabilitim në bregdet 50 mijë euro të tjera, që sipas saj përbëjnë plotësim të vetëm 10 për qind të kërkesave të shoqatës për institucionet.

“Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së reagon ndaj vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me rehabilitimin e Invalidëve te Luftës së UÇK-së ku plotësisht i injoroi kërkesat e invalidëve të UÇK-së për rehabilitim në banja dhe bregdet,” thuhet në reagim.

Shoqata tregon se ka kërkuar mjete edhe për proteza, por ky propozim sipas saj nuk është nxjerrë në mbledhje të qeverisë.

“Përpos rehabilitimit, Qeverisë së Republikës i është drejtuar edhe kërkesa për proteza te invalidëve që janë të domosdoshme për invalidët, ku për proteza janë mbi 110 Invalidë. Qeveria as që e pa të arsyeshme ta qet për miratim këtë kërkesë në mbledhjen e dt. 19.08.2016”, vijon më tutje reagimi.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së premtes ndau 30 mijë euro për rehabilitimin e personave të kategorive të dala nga lufta.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme