Shoqata e Prodhuesve të Qumështit shprehet e shqetësuar me zhvillimet në AZHB

Prishtinë | 15 Mar 2021 | 14:39 | Nga Ekonomia Online

Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës ka reaguar rreth zhvillimeve të ndodhur ditë më parë në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, duke thënë se shoqata e tyre në vazhdimësi ka shprehur shqetësimet dhe pakënaqësitë e saja sa i përket kritereve, ndarjes së subvencioneve dhe granteve, po edhe keqpërdorimeve të dyshuara.

Shoqata shpreson se me arrestimet që ka kryer Policia në bashkëpunim me prokurorinë të zbardhin shumëçka.

“Ne mendojmë se keqpërdorimet që kanë ndodhur me vite dhe mos shpërndarja e mjeteve aty ku duhet kanë bërë që masat e aprovuara nga MBPZHR për të përkrahur fermerët kanë qenë pengesë për arritje të rezultateve të dëshiruara, kjo ka ndikuar që shumë fermer serioz mos të kenë mundësi për të përfituar dhe zhvilluar normalisht, sepse rrjeti i keqpërdorueseve ka përzgjedhur adresat e përfituesve jo meritorë. Po ashtu potencojmë, se nuk është çdo gjë zi, sepse efektet pozitive në teren nga përfituesit meritorë dhe puna e zyrtarëve të sinqertë të ministrisë është evidente, ndonëse jo në masën e pritur”, thuhet ndër të tjera në reagimin e tyre.

Dhjetë zyrtarë shtetërorë e dy civilë ishin arrestuar në aksionin policor të zhvilluar në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe në disa komuna lidhur me dyshimet për ryshfet në subvencionet bujqësore. Rreth 400 mijë euro ishin sekuestruar në atë aksion policor tre javë më parë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme