Shoqata e Transportit Rrugor paralajmëron protesta nëse nuk fillon puna e autobusëve

Prishtinë | 06 Maj 2020 | 13:00 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ruzhdi Kurtishaj nga Shoqata e Transportit Rrugor  ka kërkuar nga Qeveria lehtësim të masave për transportin rrugor. Ai ka thënë se ka marrë ankesa nga shumë kompani që në rast se nuk fillon puna e kompanive të tyre të protestojnë, meqë humbjet në këtë sektor janë shumë të mëdha.

 Kurtishaj në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se vetëm në transportin me autobusë janë rreth 10 mijë të punësuar, ndërsa dëmet janë  miliona euro.

“Unë kam marrë shkresa që nëse nuk rifillohet puna,  që të fillojnë me një protestë nga e gjithë Kosova të mblidhen shoferët për të senzibilizuar opinionin dhe qeverinë që kjo kategori duhet të jetë parasysh.

Nuk e di se si do të rrjedh kjo, shpresoj që kjo të mos ndodhë  dhe shpresoj që pas datën 20 maj të lejohet transporti  ndërurban”, tha Kurtishaj.

Duke folur për humbjet ai tha se të gjitha kompanitë kanë pësuar sepse mjetet e tyre i kanë investuar në autobusë dhe riparime.

“Humbjet janë shumë të mëdha. Dëmtimi shumë i madh është i të gjithë operatorëve rrugorë të cilët kanë investuar në mjetet e tyre shuma të mëdha të parave në investimin në autobus dhe riparim. Vetëm në transportin me autobus janë diku 10 mijë të punësuar”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se ndonëse dëmet janë milionëshe nuk e kanë ende ndonjë datë se kur do të mund të rifillojnë punën.

“Dëmet janë të mëdha flasim për miliona  euro humbje dhe ne akoma nuk kemi një datë të saktë se kur do të fillojmë punën dhe si do të operojmë. Ne si operatorë kemi kryer obligimet dhe përgjegjësitë ne kemi dezinfektuar të gjithë autobusëve dhe automjeteve të tjera dhe pastrimin gjeneral që me rastin e rifillimit të punës të mbruhen qytetarët nga Covid-19”, tha ai.

Ai ndërkohë thotë se është e pakuptimtë që sot është lejuar të punohet në transportin e veçantë, si për kompani,  qoftë për KEK-un.

“Kemi një mbipopullim nëpër autobusët e tyre pra,  as aty nuk kemi të bëjmë me distancën. Edhe sot me datën 6 maj ne nuk e dimë nëse do të fillojmë me operimin cilat janë masat që duhet t’i zbatojmë qoftë për pjesën e distancës dhe protokollin  shëndetësorë”, tha Kurtishaj për EO.

Ai ka thënë se Shoqata e Transportit Rrugor, ka kërkuar nga qeveria që tatimet të mbulohen apo të shtyhen për një afat të pacaktuar, deri kur kompanitë të krijojnë të hyra.

“Ne kemi kërkuar që tatimet të mbulohen nga shteti apo të prolongohen deri në momentin kur krijohen kushtet dhe rrethanat për të punuar kur biznesi të mund të krijoj të hyra. Ne kemi pasur një afat që deri në 30 prill  për tatimin mbi vlerën e shtuar, për tatimin e shtuar për qera, për pagesën e kontributeve dhe ky afat është shtyrë deri më datën 15 maj dhe është jologjike kjo pjesë. Kërkesa jonë edhe më tutje që këto tatime të shtyhen në afat të pacaktuar”, tha Kurtishaj.

Të ngjashme