Bursa për nxënësit prishtinas, fitues të garës së diturisë në Slloveni

Prishtinë | 18 Maj 2018 | 20:03 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komuna e Prishtinës ka ndarë çmimet për fituesit e garës së diturisë në lëndën e matematikës, e cila është mbajtur në bashkëpunim me Universitetin e Primorskës të Sllovenisë. Nxënësit që treguan rezultate të larta në këtë garë të mbajtur muajin e kaluar, kanë përfituar bursa nga ky universitet.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, në ceremoninë e organizuar me këtë rast, premtoi mbështetje për studentët prishtinas që studiojnë jashtë, por me një kusht.

“Unë në kapacitetin e nënkryetarit të Prishtinës do t’i mbështesë këta studentë që po tregojnë talentin në botë. Ju bëj me dije që jemi përkrah jush kudo që jeni, por me një kusht që ju të ktheheni përsëri në Kosovë. Uroj që ju student të jeni lider të Kosovës”, tha Pacolli, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i Arsimit në Komunës e Prishtinës, Jonuz Salihu, tha se studentet fitues do të jenë urë lidhëse e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë.

“Sigurisht që është kënaqësi bashkëpunimi me një universitet të përmasave të tilla. Ne, për fat të mirë, kemi promovuar vlera në të gjitha fushat. Ne kemi treguar që kemi shumë talentë. Po flasim shumë për kthimin e trurit dhe besoj që kemi krijuar kushte për kthimin e trurit”.

“Ne kemi 5 gjimnaze në Prishtinë dhe të gjitha janë gjimnaze elitare. Ne po bëjmë përpjekje që ta rrisim cilësinë duke trajnuar mësues, por duke sjellë edhe njerëz të rinj në Kosovë që sjellin edhe ide e metoda të reja”, tha Salihu.

Rektori i Universitetit të Primorskës, Dragan Marushiq, tha se nuk kanë ardhur të vjedhin studentët e rinj dhe ambiciozë, mirëpo të ofrojnë mundësi të reja.

“Kosova është vend i ri dhe universiteti ynë është i ri. Studentët e rinj dhe universitetet e reja janë më kuriozë të marrin më të mirët. Synimi dhe strategjia e universitetit tonë është që të marrim studentë të mirë dhe të dalim të parët ndër shtetet e Evropës. Ideja është që të ofrojmë një vend të mirë për studentët që janë të mirë. Vlerat i universitetit i jepen universitetit, dhe gjuha jonë e përbashkët është matematika”, tha ai.

Një ndër fituesit e bursës, Besfort Shala, nxënës i klasës së 12-të në gjimnazin “Sami Frashëri”, tha se ka bërë përgatitje të shumta për të dalë sa më mirë në këtë garë.

“Kam bërë përgatitje të vazhdueshme për këtë garë. Vazhdimisht kam marr pjesë nëpër gara. Kam fituar vendin e parë në olimpiadën e matematikës dhe sot fitova bursën për të studiuar në Slloveni”, tha ai, i kënaqur me arritjen.

Deliza Kadriu, nxënëse e klasës së 12-të në shkollën “Xhevdet Doda” tha se do të vazhdojë të marrë pjesë në gara të këtilla, të cilat do ta ndihmojnë në studimet jashtë vendit.

“Duke ditur që Kosova nuk ofron shumë mundësi do të vazhdoj të marr pjesë në gara të cilat ofrojnë mundësi studimi jashtë vendit”, tha ajo.

Lexo më shumë:

Të ngjashme