Bytyqi: Në fillim të vitit të ardhshëm presim të kthehemi në EQAR

Prishtinë | 12 Tet 2018 | 14:02 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, pret që në fillim të vitit të ardhshëm sërish të jenë pjesë e Regjistrit Evropian i Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë (EQAR), raporton Ekonomia Online.

“Presin që në fillim të vitit të ardhshëm të kthehemi në EQAR”.

Bytyqi në komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, foli lidhur me përfundimin e vitit shkollor 2017/2018 dhe fillimin e vitit të ri shkollor 2018/2019.

Ministri bëri të ditur se viti shkollor 2017/2018 është përmbyllur si vit i rregullt dhe se nuk ka pasur ndonjë problematikë në përmbylljen e tij.

“Të dy rundet e testit të maturës janë përfunduar sipas kalendarit. Ka rezultuar që testi të jetë pozitiv sepse ka dhenë një rezultat më real sesa viteve të kaluara”.

Byqyti theksoi se MAShT-i ka ndërmarrë masa që të përgatitet viti i ri shkollor 2018/2019. Këtë vit sipas tij, 9 shkolla kanë nisur mësimin me vonesë për shkak të procesit të rinovimit.

“Më 3 shtator që ka qenë dita e parë e vitit të ri janë hapur pothuajse të gjitha shkollat, përjashtuar 9 shkolla të cilat kanë qenë në rinovim. Përkundër përpjekjeve kemi pasur vonim në këto 9 shkolla. Me këto shkolla kemi dakorduar që të bëhet kompensimi i orëve të humbura dhe tani kemi bërë kalendarin për kompensim”.

“Në klasën e parë janë mbi 26 mijë nxënës. Kemi 5 shkolla të reja këtë vit, 7 shkolla kanë qenë të rinovuar”.

Bytyqi ka thënë se presin që viti i ardhshëm shkollor të fillojë me tekste të reja në të gjitha nivelet.

“Është shpallur konkurs për tekste të reja për klasat 2-7. Presim që vitin 2019/2020 do të kemi tekste të reja për të gjitha nivelet. Kërkese e këshillit ka qenë që të mos lëshohen gabime në tekste. Qëllimi ynë është që të kemi tekste me standarde ndërkombëtare”.

Bytyqi ka vlerësuar se testi i maturës ka qenë i suksesshëm për formën me 4 rajone. Sipas tij, janë identifikuar dobësitë, por theksoi se ka nevojë shumë më shumë që të diskutohet për standardet e reja.

Bytyqi njoftoi që së shpejti do të formojnë një komision i cili do të vlerësojë se a mund të përdoret vitin e ardhshëm programi elektronik për testin e maturës, E-matura, raporton Ekonomia Online.

Bytyqi tuje ka thënë se është shumë lajm pozitiv fillimi për herë të parë i matjes performancës së mësimdhënësve, proces i cili sipas tij do të ngrisë cilësinë në arsim.

“Deri më tani nuk kemi pasur problem, është pritur mirë edhe nga DKA-të dhe shkollat. Kjo matje do të sjellë ngritje të përgjegjësisë dhe rritje të cilësisë në arsim”.

Kryetari i komisionit, Ismajl Kurteshi, ka thënë se kolegjet private vazhdojnë të regjistrojnë studentë edhe pas përfundimit të afatit ligjor që është 1 tetori. Ai ka kërkuar të dijë se çka ka ndërmarrë ministria për këtë çështje.

“Në raportin e MAShT-it na kamë munguar shumë informata. Deri ku keni arritur ne ristrukturimin e MAShT-it. Kolegjet private nuk kanë numra amëz për studentë të tyre, kolegjet private po regjistrojnë studentë edhe pas përfundimit të afatit, çka ka ndërmarrë MAShT-i. Duhet të dimë që kishës i është falur toka në kampusin e universiteti për shkak të institucioneve të arsimit”.

Teuta Haxhiu nga AAK-ja ka vlerësuar që është shumë me rëndësi të depolizitohet zgjedhja e drejtorëve të shkollave. Haxhiu tha se disa shkolla janë ankuar se nuk janë pajisur me tekste shkollore.

“E kam një shqetësim për një shkollën e mesme të ulët ‘Ganimente Terbeshi’ në Mitrovicën veriore, është një kontenier, çfarë mund të bëjmë atje. Tekstet mësimore, kemi pasur disa shkolla që nuk kanë tekste shkollore, a janë pajisur të gjitha apo ajo”.

Deputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci, ka kërkuar llogari nga ministri pse është hequr një udhëtim administrative vetëm dy orë pasi është publikuar, për tu publikuar sërish më vonë.

“Për udhëzimin administrativ për normativin, pse është hequr brenda dy ore kur është publikuar. A ka filluar me dërguar ministria tekste në Luginë të Preshevës?”.

Bytyqi i është përgjigjur Nagavcit duke thënë se udhëzimi në fjalë është tërhequr për shkak të disa gabimeve teknike, i cili pas përmirësimeve është publikuar sërish.

Driton Çaushi në PSD-ja ka deklaruar se është koha e fundit që te bëhet vlerësim nëse testi i maturës ka pasur ndikim pozitiv ne arsim, për çka tha se dyshon se ka këtë ndikim.

“Vit pas viti kemi përsëritur këtë gabim, këtë vit ka pasur ndryshim të lehtë në mënyrën se si është mbajtur ky test”.

Deputeti i LDK-së, Fidan Rekalou, ka thënë se deklarimi i ministrit që nga viti ardhshëm presin që të fusin në funksion tekstet e reja me standarde ndërkombëtare, nënkupton që aktualisht tekstet aktuale janë të nivelit të ulët.

“Sa është numri i nxënësve në nivel vendi që kanë braktisur shkollën. Thatë që në vitin 2019 do të kemi tekste të reja shkollore dhe me standarde ndërkombëtare. A do të thotë që aktualisht nuk i kemi me këto standarde?”.

Duke u përgjigjur deputetëve, ministri Bytyqi tha se bartja e nxënësve nga një shkollë në tjetrën është shqetësuese, por deklaroi se kjo çështje që u përket komunave dhe MAShT-i nuk mund të ndërhyjë.

Bytyqi ka thënë se kolegjet që i regjistrojnë studentët jashtë afatit ligjor nuk konsiderohen të regjistruar nga ministria që ai drejton.

“Kolegjet mund te bëjnë reklama në televizione, por çdo institucioni ua kemi bërë të qartë se për ministrinë asnjë student nuk do të jetë i regjistruar jashtë afatit”.

Bytyqi ka thënë se nuk kanë fuqi ligjore për të ndërhyrë në komunën e Drenasit për të rregulluar problemin e nxënëseve të shkollës në Abri, të cilët me muaj nuk janë duke zhvilluar mësimin.

“Kemi dërguar një delegacion ne DKA për te kuptuar çka ka ndodhur por nuk ka pasur gatishmëri për bashkëpunim. Në vendimin e tyre thuhet se kjo ka të bëjë me mungesë buxheti, ku akuzohet ministria për mos-ndarje të buxhetit, por MAShT-i nuk ndanë buxhet, është ajo e financave që ndan, ne jemi vetëm ndërmjetësues”.

Kur ka folur për trajnimin e mësimdhënësve, Bytyqi ka thënë se është lajm pozitiv marrja e një vendimi prej tyre për ndërprerje të çdo thirrjeje për trajnim nga organizatat joqeveritare, pasi deklaroi se trajnimet do të bëhen në mënyrë më profesionale.

Ministri Bytyqi ka dhënë informacione se deri ku ka ardhur procesi i reformës në ministri, raporton EO.

“Është bërë punë e mirë, jemi në zbatim. Kemi zvogëlim të departamenteve, dhe kemi ri-përshkrim të detyrave. Kjo ka bërë që shumë drejtorë të humbin pozitën eventuale dhe kemi vendosur ushtrues detyre në këto pozita. Do të shpallen konkurset për tu plotësuar këto pozita”.

Bytyqi ka thënë se nuk kanë pasur mundësi të ndërmarrin asnjë hap për tu dërguar tekste shkollore nxënësve shqiptarë në Luginë të Preshevës. Ai u shpreh se nuk ka dashur që librat të qëndrojnë me muaj të tërë në kufi dhe të krijohet spektakël.

“Tekstet në Luginë, nuk kemi bërë asnjë hap sepse nuk kemi pasur mundësi. S’kam qenë i gatshëm të marr vendim që librat të qëndrojnë në kufi dhe te paguajmë pastaj kosto. S’kam dashur të bëjë spektakël”.

Lexo më shumë:

Të ngjashme