Bytyqi vizitoi disa shkolla në komunën e Klinës

Klinë | 21 Sht 2018 | 14:41 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në vazhdim të vizitave që po iu bën shkollave të Kosovës, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka vizituar komunën e Klinës, ku është pritur nga kryetari Zenun Elezaj, me të cilin ka biseduar për bashkëpunim në fushën e arsimit dhe më pas ka vizituar tri shkolla në këtë komunë.

Fillimisht, Bytyqi ka vizituar shkollën fillore “Ismet Rraci”, ku uroi që nxënësit të angazhohen dhe të mësojnë shumë, sepse është për të mirën dhe të ardhmen e tyre, ndërsa i këshilloi ata që të kërkojnë sa më shumë nga mësimdhënësit dhe të fitojnë dijen e merituar.

Ministri, më pas, ka vizituar objektin e ri të kësaj shkolle, i cili është duke u ndërtuar dhe do të ofrojë hapësirë moderne të mësimit për 1500 nxënësit që ndjekin mësimet në këtë shkollë.

Në vazhdim, Bytyqi ka vizituar shkollën e mesme teknike “Fehmi Agani”, me ç’rast mori pjesë në një orë të punës praktike në lëndën “Elektronikë”. Ministri u shpreh i kënaqur me punën që po bëhej nga nxënësit, ndërsa tha se drejtimet e tilla profesionale ofrojnë mundësi të shumta për punësim të të rinjve dhe do të ndikojnë edhe në zhvillimin e ekonomik të vendit.

“Duhet të vazhdohet me pajisjen e shkollave profesionale me kabinete të nevojshme, në mënyrë që nxënësit të përfitojnë shkathtësi të duhura”, tha Bytyqi.

“MAShT në bashkëpunim me komunat mbetet të angazhohen që të krijojnë më shumë mundësi për punën praktike në ndërmarrje”, shtoi ai.

Bytyqi, gjatë kësaj dite ka vizituar edhe shkollën fillore “Emin Duraku” në Sverkë, ku ndër të tjera tha se,

“MAShT është e përkushtuar që të krijojë kushte të mira dhe të ofrojë mundësi të zhvillimit profesional edhe për mësimdhënësit, matja e performancës nuk duhet të kuptohet si ndëshkim për mësimdhënësit, por si një mundësi për t’iu ndihmuar atyre në zhvillimin dhe avancimin profesional”, tha Bytyqi.

Në të gjitha vizitat, Bytyqi ka theksuar nevojën e bashkëpunimit të të gjitha palëve, në mënyrë që të ngritet cilësia në arsim dhe fëmijëve t’iu ofrohet arsimim çfarë e dëshirojmë.

Lexo më shumë:

Të ngjashme