Komisioni për Arsim diskuton për vendimin e KShC-së, del me një deklaratë të përbashkët

Prishtinë | 22 Kor 2019 | 14:59 | Nga Nexhmie Hyseni Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Arsim ka diskutuar lidhur me situatën e krijuar pas Vendimit të Këshillit Shtetërorë të Cilësisë (KShC) për mosakreditimin e disa Universiteteve Publike dhe Private për këtë vit, raporton Ekonomia Online.

Në këtë mbledhje të komisionit kishin qenë të ftuar për raportim kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, por që asnjëri nuk i janë përgjigjur ftesës.

Kryetari i Komisionit, Ismajl Kurteshi, tha se duhet respektuar vendimet e KShC-së duhet respektuar derisa kërkoi që raportet të bëhen publike.

“Në këtë takim është ftuar kryeministri, i është dërguar kërkesë gjithashtu dhe ministrit. Ministri Bytyqi ka njoftuar se nuk do vie në këtë mbledhje, qëllimi ka qenë të diskutojmë lidhur me vendimin e KShC-së. Ne të gjithë e dimë që Këshilli është i pavarur, profesional i cili ka të drejtë dhe obligim të marrë vendime brenda fushëveprimit të vet bazuar në legjislacionin e tij. Meqë edhe jemi themelues duhet t’i respektojmë vendimet e tyre. Deklaratat politike në lidhje me këtë proces, këto vendime e dëmtojnë procesin. Ne kemi kërkuar që raportet e ekspertëve t’i bëjnë të ditur, opinioni duhet të jenë i njoftuar për vendimet që i kanë marrë bazuar në ato raporte”, tha Kurteshi.

Deputetja e PDK-së, Luljeta Veselaj-Gutaj, mbylljen e Universiteteve e ka quajtur si zgjidhje të gabuar ndërsa ka shtuar se në mesin e KShC-së ka njerëz që nuk i plotësojnë kushtet.

“Janë ngritur dyshime dhe shqetësime ndaj KShC-së. Asnjëherë pa dashtë me interferu si është Agjensioni i Pavarur. Ne si PDK mbesim të përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të tyre për tu avancuar. Mbyllja e universitete nuk është zgjidhje, është bërë shumë punë për të hapur dhe duhet shumë punë për të punuar. Unë nuk i kam parë raportet e KSHC-së. Thuhet se në mesin e anëtarëve është edhe një zonjë që nuk i plotëson kushtet. Është shqetësim nëse ne kemi pasur ekspertë që nuk i ka plotësuar kushtet. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, duhet t’i respektojmë ato dhe duhet të kërkojmë nga Agjensionet e Pavarura t’ i respektojnë ato. Ne duhet te mobilizohemi me i përkrahë universitetet”, tha ajo, raporton EO.

Deputeti i PSD-së, Driton Çaushi, ka vlerësuar punën e KShC-së duke thënë se ka dëshmuar vendosjen e një standardi në lidhje me mosakreditimin e tyre.

” Ne kemi pasur shumë vendime asnjëherë të marra nga hulumtimi apo strategji e caktuar dhe më në fund kemi një institucion që filloi me na dëshmu vendosjen e një standardi lidhje me akreditimin e tyre. Është për keqardhje që nuk janë të ftuarit, kryeministri dhe ministri, ne s’kemi pasë asnjë dëshmi deri më sot për shkelje të institucionit”, tha Çaushi.

Deputetja e Vetëvendosjes, Arberie Nagavci, tha se mosakreditimi i këtyre universiteteve nga KShC-ja tregon situatën reale të arsimit.

” Pavarësisht situatës së krijuar, Qeveria akoma është në detyrë, vendimi për mosakreditimin, ne duhet të kemi parasysh se kjo tregon situatë reale që kemi qenë të njohur të gjithë. Sa i përket ekspertes që po përmendet ajo është njëra nga lista e ekspertëve dhe drejtori i Agjensionit e ka rekomanduar”, tha ajo.

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka thënë se nuk kemi bërë hapa konkret në ngritjen e cilësisë së arsimit.

 Haxhiu ka thënë se me mosakreditimin e programeve të tri Universiteteve Publike po hapen dyert e kolegjeve private.

“Prej mandatit të parë, gjithmonë kam fol për institucionet e shumta të arsimit të lartë që kanë shkelur këtë ligj. Ligji i shkelur në vazhdimësi duke u thirrur me mbishkrime si universitete, kemi fol për ngritje të cilësisë, por hapa konkretë s’kemi bërë. Unë e kam dhënë votën time për ndërtimin e këtyre universiteteve,  jo për mëshirë, por jam për me qenë afër njerëzve që kanë pagë e nuk e kanë tonën, por me 50 cent shkojnë. Me mbylljen e këtyre universiteteve shoh hapjen e dyerve të universiteteve private. Unë kërkojë që shkalla e dytë të marrë me seriozitet ankesat”.

Në fund të diskutimit anëtarët e komisionit janë pajtuar që të dalin me një deklaratë të përbashkët.

Kryetari i Komisionit, Ismajl Kurteshi, ka thënë se komisioni është kundër deklaratave politike lidhur me institucionet e pavarura.

“1.Të ruhet pavarësia e institucioneve të pavarura, 2. nëse ka argumente për shkelje të pakënaqurit të ankohen, 3. qeveria t’i ndihmojë universitetet publike që të plotësojnë kriteret e kërkuara. 4. Komisioni është kundër deklaratave politike të zyrtarëve të lartë lidhur me vendimin e KShC-së”, janë pikat e deklaratës, tha ai, raporton EO.

Deputetja Teuta Haxhiu ka kërkuar që të ftohen në takim Rektorët e Universiteteve Publike dhe atyre private që nuk janë pranuar me mosakreditimin.

Por propozimi i saj nuk ka kaluar pasi që  nuk ka marrë votat e mjaftueshme. Për këtë propozim të Haxhiut pati vetëm dy vota pro.

Lexo më shumë:

Të ngjashme