Likaj nis vizitat nëpër komuna, paralajmëron se viti i ri shkollor pritet të vazhdojë online

Deçan | 03 Kor 2020 | 11:07 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ka nisur me Deçanin, vizitat nëpër komunat e Kosovës, për të parë nga afër gjendjen në arsim dhe përgatitjet për vitin e ri shkollor.

Likaj është pritur në takim nga kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj. Ai tha se qëllimi i kësaj vizite është për të parë nga afër sfidat që ka kaluar kjo komunë gjatë mësimit në distancë.

Ai ka thënë se vizitat e tij do të vazhdojnë në të gjitha komunat e Kosovës.

Ministri Likaj paralajmëroi se viti i ri shkollor në shtator pritet të fillojë sërish përmes mësimit në distancë, duke parë situatën me pandeminë, raporton Ekonomia Online.

“Qëllimi i vizitës ishte për arsye se ne kemi me filluar vazhdën e vizitave në të gjitha komunat e Kosovës, dhe me i dëgjuar drejtoritë komunale të arsimit dhe me njoftuar për së afërmi me gjendjen e arsimit nëpër komuna dhe me vështirësitë që i kanë dhe përgatitjet që janë duke i bërë për mësimin në distancë dhe përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor në shtator”, tha Likaj.

“Jemi duke punuar shumë për menaxhimin e situatës me Covid-19. Jemi duke u përgatitur për planin B që nënkupton që ndoshta në shtator do të detyrohemi të fillojmë mësimin në distancë apo mësimin online dhe për këtë kemi bërë edhe plane konkrete”.

Ai tregoi se për këtë qëllim, MASh ka ndarë një paketë prej rreth 1 milion euro për blerjen e pajisjeve të teknologjisë informative.

Mes tjerash, kreu i MASh lavdëroi Komunën e Deçanit se ka performuar mirë në mësimin në distancë, pavarësisht vështirëve.

“Edhe drejtoritë e tjera komunale në tërë Kosovën kanë pasur vështirësi të shumta sidomos një numër i nxënësve nuk kanë pasur mundësinë të kenë qasje në mësimin në distancë… Kanë bërë aq sa kanë mundur. Asgjë nuk ka të përkryer. Ne jemi duke i evidentuar të metat e këtij procesi dhe brenda mundësive për ta përmirësuar gjendjen”, u shpreh Likaj.

“U zotuam se do të mundohemi të sigurojmë një numër të pajisjeve po ashtu edhe një numër i madh i biznesmenëve u zotuan se do t’i sigurojnë pajisjet për me i siguruar qasje në mësimin në distancë në rast se paraqitet nevoja për planin B”.

Gjatë ditës së sotme, ministri Likaj do të takohet edhe me kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

Lexo më shumë:

Të ngjashme