ORCA demaskon revistën e rrejshme, denoncon profesorin për ndërhyrje në zbulimin e mashtrimeve

Prishtinë | 14 Sht 2018 | 10:49 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka mbajtur konferencë për shtyp, në të cilën janë paraqitur të dhëna për përpjekjet e një profesori të UP-së për ndërhyrje në zbulimin e mashtrimeve me revista të dyshimta gjatë procesit të avancimeve akademike.

Rron Gjinovci, nga ORCA, ka treguar mashtrimin se si profesorët e UP-së publikojnë shkrime të tyre në revista të dyshimta dhe nuk kërkojnë llogari nga ato revista për mashtrimin që iu është bërë, por përpiqen që të mashtrojnë prapë, raporton Ekonomia Online.

“Javë më parë, ORCA ka ngritur çështjen e supermenëve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, të cilët i kanë zbuluar dy revista shkencore nëpër të cilat disa nga profesorët kanë publikuar nga 18 e 19 punime brenda një viti e gjysmë, ndërkohë që mesatarja për profesorët norvegjezë është 0.96 punime në vit, pra më pak se një punim brenda vitit”, tha Gjinovci.

“Duke e parë këtë situatë, ORCA me bashkëpunëtorë kanë nisur një operacion për demaskimin e revistave të dyshimta që formalisht i plotësojnë rregullat. Operacioni “Vreshtat” arriti të demaskojë revistën ‘International Journal of Pharmaceutical Science Review and Research’ në të cilën kemi dërguar një punim pa asnjë vlerë shkencore me autor Rrush Kalaveshin, nga Universiteti inekzistent i Ranillukut, punim i cili është publikuar”, tha ai.

ORCA tregon se kanë kërkuar nga senati që të marrë masa dhe ta fusë këtë revistë në listën për revista të dyshimta.

Gjinovci tregoi se si profesori Ilir Shehu kishte publikuar një shkrim shkencor në këtë revistë të dyshimtë dhe pas publikimit të autorit Rrush Kalaveshi ai ka reaguar duke kërkuar llogari nga revista dhe duke i kërkuar ta largojë shkrimin e Kalaveshit nga faqja e tyre, raporton EO.

“Ai i ka dërguar një e-mail revistës duke paraqitur veten si prodekan pa qenë i tillë, sipas web faqes së UP-së. Ai në vend se t’i shkruajë revistës për mashtrimin që i është bërë, është munduar ta fshehë rastin duke e shantazhuar atë dhe duke i kërkuar që punimin e Rrush Kalaveshit ta heqë nga faqja e vet dhe madje duke kërkuar fletëpagesën bankare për ta kuptuar se kush fshihet pas këtij shkrimi”, tha Gjinovci.

ORCA njoftoi se pasi ka mbledhur dëshmitë e nevojshme, ka denoncuar sot në Këshillin e Etikës njoftimin për shkeljet disiplinore që Ilir Shehu tashmë i ka kryer duke komunikuar me palë të tjera në emër të Fakultetit të rrejshëm, duke u paraqitur në funksione që ai nuk i ka dhe për më tepër duke sfiduar vendimin e senatit për ta futur në listë të revistave të dyshimta revistën në fjalë.

“ORCA njofton se kushdo që përpiqet të minojë rrugën e integritetit akademik që institucionet si MAShT-i, Senati i UP-së, menaxhmenti i UP-së dhe shoqëria civile po mundohen ta shtrojnë, ORCA do të jetë aty për t’i diskredituar përpjekjet e tyre dhe për t’i luftuar aktivisht ato përpjekje me të gjitha format”, tha Gjinovci.

Lexo më shumë:

Të ngjashme