Studentët vendosin pranga në dyert e ministrisë së Arsimit, kërkojnë depolitizimin e universiteteve

Prishtinë | 16 Jan 2019 | 13:27 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Përfaqësuesit e studentëve nga të gjitha Universitetet Publike kanë mbajtur një aksion simbolik para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në lidhje me siç thanë ata me politizimin e universiteteve publike raporton Ekonomia Online.

Ata kanë vendosur në dyert e kësaj ministrie një palë pranga, të cilët thanë se i dedikohen ministrit Bytyqi për ta ndalur politizimin në universitete. Ata vendosën edhe një letër ku shihen Afrim dhe Bedri Muhadri të fotografuar me zv. kryeministrin Fatmir Limaj..

Studentët thonë se me ardhjen e ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi në krye të këtij dikasteri kanë shpresuar se do të ndalet politizimi i universiteteve publike dhe punësimi i militantëve partiak, por sipas tyre një gjë e tillë ende nuk po ndodh.

Diar Statovci, përfaqësues nga grupi i pavarur i studentëve tha se Universitetet në Kosovës janë të politizuara sepse aty kanë hyrë shumë anëtarë nga partia Nisma për Kosovën.

“Universitetet publike që nga paslufta kanë qenë pjesë e kryqëzimit të politikanëve të cilët kanë punësuar një numër të madh të njerëzve të vet. Me ardhjen e Ministrit Bytyqi ne kemi shpresuar që depolitizimi do të ndodhë, do të largohen njerëzit e politikës nga Universiteti. Ne kemi fakte që politizimi i militantëve po vazhdon si punësimi i anëtarëve të Nismës në MAShT”, tha ai, raporton EO.

Statovci tha se zhvillimet e fundit brenda MAShT-it dhe kampuseve universitare, siç thotë ai punësimet brenda militantëve partiak si dhe emërimi i njerëzve partiak brenda bordit të UP-së, ka shtyrë këta studentë që ta mbajnë këtë protestë.

E për këtë kauzë Statovci akuzoi edhe ministrin e MASHT-it, Shyqyri Bytyqin.

“Ministri ka bërë punësim në numër të madh të militantëve partiak brenda MASHT-it si dhe emërimin e njerëzve partiak në bordet e universitetit të Prishtinës, poashtu futja në grevë e studentëve të FSHMN-së për mos ndërtimin e objektit, kanë një kauzë të drejtë si dhe zgjedhja e rektorit në universitetin e Prizrenit në mënyrë të jashtëligjshme besoj që janë disa prej arsyeve për me mbajt këtë protestë, kjo protestë përmban një zgjim studentor, protestat nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave tona”, tha Statovci.

Ndërsa Milot Krasniqi, kryetar i parlamentit studentor në Universitetin e Prizrenit, tha se me këtë protestë ata do kërkojnë nga Ministri Bytyqi që ti largojë militantët e futur në MASHT dhe kampuset universitare që ai i ka futur.

“Përmes këtij aksioni simbolik duam të tërheqim vëmendjen tuaj rreth zhvillimeve të fundit në Universitetin e Prizrenit, ashtu siç jeni njoftuar UPZ është në një situatë të keqe. Përmes kësaj shkrese kërkojmë nga ju që të ndërrmerni masa në mënyrë që Universitetit të Prizrenit të i kthehet normaliteti. Kërkojmë shkarkimin e anëtarëve të këshillit drejtues të emëruar nga MASHT-i për shkak të dështimit të përmbushjes së detyrës së tyre të UPZ-së “, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se anëtarët e zgjedhur të këshillit drejtues të UPZ-së, kanë shkelur me dy këmbë statutin e këtij universiteti.

“Këta anëtarë të këshillit drejtues duke shkelur me dy këmbë statusin e UPZ-së në mbledhje të orëve të vona pa prezencën e nevojshme për kuorum të anëtarëve dalin me një vendim kinse kanë zgjedhur ushtrues detyre, i cili është zgjedhë pa kuorum të nevojshëm, dhe me një vendim i cili e ka ndalesën nga gjykata, me këtë rast ata ndërhyjnë edhe në vendimet e gjykatës për të cilën pas këtij veprimi ne kemi ngritur edhe kallëzim penal.”

Ata i kanë dhënë afat ministrit Bytyqi që deri muajin tjetër t’i realizojë kërkesat e tyre, në të kundërtën kanë paralajmëruar vazhdim të protestave.

Lexo më shumë:

Të ngjashme