Shoqëria civile i reagon antikorrupsionit: Gabuat në rastin e Sejdi Hoxhës

Prishtinë | 31 Kor 2019 | 10:59 | Nga Ekonomia Online

Balkan Green Foundation (BGF), Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Instituti GAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) kundërshtojnë Opinionin Nr. AKK-DPK-DPKI-03-03-1022/18 të Agjencisë Kundër Korrupcionit me të cilin shpallet se z. Sejdi Hoxha i zgjedhur si Kryetar i Degës së Drenasit të Partisë Demokratike të Kosovës nuk është në shkelje të Ligjit Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik. Ky Opinion nuk vë në dritë shkeljen e Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike dhe interpreton vetëm Ligji Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik që nuk ishte fare subjekt i kundërshtimit tonë.

Opinioni i AKK-së i drejtohet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, ani pse, siç është praktikë e akteve administrative, nuk sqaron fare se kush ka kërkuar këtë vlerësim. Në dokument vetëm thuhet se AKK “mbi bazën e kërkesave të shumta të pranuara nga subjekte të ndryshme”…ka bërë pra këtë vlerësim. Ne konsiderojmë që shkelja themeltare me rastin e zgjedhjes së Z. Sejdi Hoxha si Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dega në Drenas ka të bëjë me Ligjin Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike.

Ligji Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike përcakton qartësisht se:

17.1 Një person ka të drejtë të shërbejë si drejtor vetëm nëse i plotëson të gjitha kushtet më poshtë si dhe kushtet për pavarësi dhe përshtatshmëri profesionale të përcaktuara në paragrafët 2 dhe 3 të nenit 17 të këtij ligji.

k) është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike;[1]

Në momentin që Z. Hoxha është zgjedhur Kryetar i degës së PDK-së në Drenas, ai automatikisht në dispozita të nenit 17.2 të Ligjit për Ndërmarrje Publike nuk mund të jetë i pavarur në kryerje të funsionit të tij. Pra, ndonëse mund të mos kemi të bëjmë me konflikt interesi, kemi të bëjmë definitivisht në shkelje të Ligjit. Madje, edhe AKK në këtë opinion ka tërhequr vërejtjen se ndonëse shkelja nuk është tek paragrafi 1 i nenit 13 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit,

“kjo nuk do të thotë apriori që nëse me një ligj tjetër të veçantë apo akt nënligjor kjo çështje të rregullohet ndryshe, nisur nga parimi i paraparë me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit ku thuhet se: zyrtari duhet të ushtroj funksionin e tij publik në pajtim me ligjin dhe kodin e mirësjellës…”[2]

Me këtë rast, i kërkojmë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, më saktësisht Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike të marrë masa të menjëhershme për të adresuar shkeljen e vazhdueshme që po i bëhet Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike. Z. Sejdi Hoxha në bazë të këtij ligji, nuk është i pavarur në kryerjen e detyrës si Kryeshef Ekzekutiv. Si i tillë, ai duhet të tërhiqet menjëherë nga posti i Kryeshefit dhe të mos vazhdoj shkeljen e Ligjit.

I kujtojmë Agjencisë Kundër-Korrupcionit se në mandatin e saj është mbrojtja e ligjshmërisë dhe interesit publik dhe jo përligjja e shkeljeve ligjore përmes Opinioeve që nuk prekin materien e shkeljes. I bëjmë thirrje MZHE-së dhe institucioneve të drejtësisë të veprojnë në mbrojtje të Ligjit dhe parimit se askush nuk është mbi ligjin. Politizimi i ndërmarrjeve publike ka sjellë shkatërrimin e tyre. Është koha që duke mbrojtur dhe respektuar Ligjin, të kthejmë kursin në anën e kundërt.  

Të ngjashme