Shoqëria civile kërkon 70 për qind të pagës për pushim të lehonisë

Prishtinë | 05 Dhj 2018 | 15:59 | Nga Ekonomia Online

Shoqëria civile ka kërkuar nga institucionet që pushimi i lehonisë të mbështetet nga shteti me një pagesë prej 70 për qind të pagës bazë, në gjashtë muajt e parë të pushimit.

Kjo, sipas tyre, do të shërbente në rritjen e natalitetit. Iniciativa Kosovare për Stabilitet dhe Fondacioni Friedrich Ebert kanë thënë se propozimi i tyre përkohësisht do të jetë barrë për shtetin, por kjo vetëm deri në themelimin e fondit social. Kosova është duke punuar në ndryshimin e Ligjit për pushimin e lehonisë dhe prindëror.

Një pjesë e Shoqërisë Civile kërkon që pushimi prej 6 muajsh të mbetet i pandryshuar, porse të ndryshojë vetëm fakti se kush duhet ta paguajë atë.

Organizata Iniciativa Kosovare për Stabilitet dhe Fondacioni Friedrich Ebert, nëpërmjet një konference, kanë propozuar që pushimin e lehonisë prej 6 muajve ta paguajë qeveria, me 70% të rrogës bazë, por vetëm për ata që kanë pagën deri në 1 mijë euro.

Florina Duli nga IKS, ka thënë se gratë në sektorin privat asnjëherë nuk e shfrytëzojnë deri në fund pushimin e lehonisë që u takon dhe, sipas saj, nëse barra e pagesës bie mbi shtetin do të rritet numri i grave të punësuara. Kjo pagesë, sipas Besa Luzhës, do të bartet përkohësisht te shteti, deri në krijimin e Fondit Social.

Për këtë kanë bërë të ditur se Shoqëria Civile po punon vazhdimisht në hartimin e legjislacionit që do të krijojë bazën për Fondin Social dhe në të cilin do të kontribuojë gjithë shoqëria. Në anën tjetër, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka theksuar se janë në fazën e mbledhjes së ideve dhe së do të marrin më të mirën e propozuar nga të gjithë. Porse pajtohen me faktin se shteti duhet të caktoj dhe investoj në politikat nacionale siç është rritja e natalitetit.

Sipas llogaritjes së shpenzimeve nga këto dy organizata del që për këtë skemë sociale do të shpenzoheshin mesatarisht 19 milionë euro në vit. Në këtë konferencë gjithashtu u diskutua edhe për skemat e pensioneve ku u tha se ka shumë mangësi dhe se ligji aktual i rregullon vetëm disa kategori të veçanta.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme