Shoqëria civile kundërshton ndryshimin e Kodit Penal

Prishtinë | 27 Pri 2017 | 16:37 | Nga

Organizatat e shoqërisë civile kundërshtojnë fuqishëm draftligjin e hartuar të Ministrisë së Drejtësisë për ndryshimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në reagim thuhet se draftligji i propozuar shkel thellësisht parimet fundamentale të një shteti demokratik ku respektohen liritë dhe të drejtat e njeriut.

“Qëllimi i Ministrisë së Drejtësisë që të kriminalizojë lirinë e shprehjes përbën një hap drejtë autoritarizimit të Kosovës, dhe në kundërshtim të plotë me rrugën e reformave Evropiane për të cilat Republika e Kosovës duhet të jetë e përkushtuar. Ne vlerësojmë që draftligji i hartuar nga Ministria e Drejtësisë është hartur në një proces krejtësisht të mbyllur, pa u thirrur grupi punues përkatës, dhe është nxjerrur në publik në një mënyrë krejtësisht të papërgjegjshme”, thuhet në reagim.

“Ndryshimet e propozuara përbëjnë hap drejtë kontrollit të fjalës së lirë për të kritikuar institucionet e larta të Republikës së Kosovës përmes procedurës penale, standard i cili do të ngulfaste lirinë e fjalës publike si instrument për të kërkuar përgjegjësi institucionale dhe politike”, thuhet më tej në reagim.

Për më shumë, ndryshimet e propozuara në draftligjin në fjalë (në veçanti neni 6 i draftligjit që i referohet nenit 134 të Kodit Penal) nuk janë hapur dhe diskutuar asnjëherë në takimin e grupit punues për këtë draftligj.

“Ne kërkojmë nga Ministria e Drejtësisë që menjëherë të tërhiqet prej një draftligji të tillë, dhe të kërkoj falje publike për këtë veprim autoritar të saj i cili ka cënuar seriozisht kredibilitetin e institucionit dhe politikbërjes në Kosovë. Gjithashtu, i bëjmë me dije Ministres së Drejtësisë që rruga Evropiane e Kosovës nuk mund të vihet përpara sfidave të tilla në një mënyrë kaq të papërgjegjshme. Në të kundërtën, organizatat e poshtëshënuara do të marrin çdo hap për të penguar që një draftligj i tillë të miratohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

Organizatat nënshkruese janë: Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK); Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP); Organizata Çohu; Instituti Demokratik i Kosovës (KDI); Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës. ​

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme