Shpejtësia tej normave, policia ndalon 24-vjeçaren me 154 km/h

Prishtinë | 02 Dhj 2018 | 14:08 | Nga Ekonomia Online

Shpejtësia tej normave të lejuara, është një tjetër problematikë e qarkullimit rrugor në vend, që shton ndjeshëm rrezikun e aksidenteve jo vetëm të personave që kryejnë këto shkelje, por edhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

Edhe pse kontrollet e shpeshta dhe masat administrative janë shtuar ndjeshëm, sërish rastet nuk mungojnë, veçanërisht në fundjavë, kur shënohen nga 40 deri në 45 leje drejtimi të bllokuara për këtë shkak.

Shpejtësitë e konstatuar nga policia rrugore variojnë nga 140 deri në 200 km/h. Madje ka raste kur janë kapur drejtues mjetesh që qarkullonin edhe me 261 km/h.

Nga numri total i drejtuesve të mjeteve që janë kapur me shkelje për tejkalim shpejtësie, pothuajse gjysma e tyre janë femra. Rasti më i fundit ishte i një 24-vjeçareje nga Tirana, e cila u ndalua nga policia në autostradën Durrës-Tiranë, pasi drejtonte mjetin me 154 km/h, 64 km/h mbi normën e lejuar në këtë rrugë.

Ndërkohë një tjetër shqetësim për policinë janë edhe garat e paligjshme të shpejtësisë, që bëhen kryesisht në orët e vona të natës. Edhe pse ndëshkimet variojnë nga 1 muaj deri në 1 vit të heqjes së patentës, dhe gjobat, nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë të reja, ekspertë të policisë rrugore e vënë theksin në ndërgjegjësimin e drejtuesve të mjeteve për drejtimin me më shumë përgjegjësi për veten dhe të tjerët që përdorin rrugën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme