Shpend Ahmeti: Dalja në Gërmi me krejt familjarët është e panevojshme, nuk është kohë pikniku

Prishtinë | 17 Mar 2020 | 18:28 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas daljes masive të qytetarëve në parkun e Gërmisë, këtë të martë

Ahmeti ka shkruar në Facebook se dalja në Gërmi si të jetë ndonjë festë, është e pashëndetshme.

“Dalja në Gërmi si me qenë festë është e pashëndetshme. Afërsia me njerëz të tjerë në turma pa e ditur gjendjen shëndetësore e njëri tjetrit është sjellje moskokëçarëse për vetën, familjen dhe të tjerët. Do ta përcjellim situaten edhe nesër por nuk është kohë pikniku. Nuk ka nevojë për orë policore por definitivisht nuk na duhet relaksim i tillë. Po ju lusim për kujdes për veten dhe të tjerët. Dalja për shëtitje në Germi me krejt familjaret është dalje e PANEVOJSHME!”, ka shkruar i pari i kryeqytetit.

Ndryshe, problem me daljen e qytetarëve në park gjatë ditës së sotme kishte edhe në Komunën e Gjakovës.

Gjakovarët nuk e respektuan vendimin e qeverisë që të qëndrojnë të izoluar, e për këtë pati edhe ndërhyrje të policisë.

Të ngjashme