Shpend Ahmeti e qet në shesh Q7-shin

Prishtinë | 02 Mar 2017 | 16:11 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gati katër vjet pasi e ka marrë drejtimin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti pritet ta përmbushë njërin nga premtimet e tij “populiste” – shitjen e veturës së shtrenjtë të kryetarit të atëhershëm, Isa Mustafa.

Kryetari Ahmeti ka bërë të ditur për Ekonomia Online se do ta nxjerrë në ankand publik veturën “Audi Q7”. Vetura do të ekspozohet për një javë në sheshin kryesor të Prishtinës dhe do të shitet me “çmimin e tregut”.

“Jemi në procedura të prokurimit dhe do ta qesim në ankand edhe njëherë. Do ta qes në shesh nja një javë”, tha Ahmeti, në një intervistë për Ekonomia Online.

Kreu i Prishtinës konsideron se vetura duhet të shitet me çfarëdo çmimi. “Ai kerr po kushton shtrenjtë. Kisha me thënë që ai kerr është katastrofik për Komunën e Prishtinës, sepse është blerë diku 80 mijë euro, e shpenzon 26 litra në 100 kilometra”.

Por, ai shpjegon se me Ligjin e Prokurimit, veturës duhet t’i qitet një vlerë minimale. “Dhe në qoftë se nuk ofron askush mbi atë vlerë nuk mundesh me e shit”.

Prej se Ahmeti e ka marrë drejtimin e Komunës, kjo veturë ka qenë e mbyllur në garazh. Automjeti “luksoz” dy herë ishte nxjerrë në ankand publik, por kishte dështuar shitja. Sipas njoftimit në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, çmimi fillestar për ta blerë veturën ishte 41 mijë e 810 euro.

“E tash i ka ra çmimi edhe pak”, e pranon Ahmeti. Por ai shpreson se kësaj radhe do të gjejnë qytetarë të interesuar.

“Janë paraqitur njerëz të interesuar; jo që iu nevojitet Q7-shi, por prej dashamirësisë që duan ta ndihmojnë dhe e dinë që është mirë me ble kerrin, e që ato pare shkojnë në bamirësi, kështu që tash jemi në procedura të prokurimit”.

Ai ka treguar se ka pasur edhe propozime interesante, sikur ai i publicistit Dardan Islami. “Ka kërkuar që ta blej, e po don me shku në krejt Kosovën me bo selfie, nga 1 euro me i mbledh paret për bamirësi që është ide interesante. Por nuk e di nëse e lejon ligji”.

(Intervista e plotë me Shpend Ahmetin publikohet të shtunën)

Të ngjashme