Shpërndarja e lajmeve të çrregullta, bie besueshmëria e qytetarëve në medie

Prishtinë | 09 Dhj 2021 | 14:56 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti D4D ka mbajtur tryezën me temën “Fushata zgjedhore në llupë: A e kërcënojnë integritetin zgjedhor çrregullimet e informacionit”, raporton Ekonomia Online.

Konferenca u mbajt në kuadër të projektit “Luftimi i dezinformatave dhe rikthimi i besimit të qytetarëve në media”, me mbështetjen e NDI-së dhe USAID-it në Kosovë.

Në këtë tryezë u prezantuan gjetjet kryesore të monitorimit të medieve online dhe rrjeteve sociale gjatë fushatës zgjedhore. Të pranishmit vlerësuan se mjedisi medial në Kosovë është i ndjeshëm ndaj çrregullimeve të informacionit, gjuhës së urrejtjes dhe gjuhës seksiste.

Të gjeturat kryesore të këtij hulumtimi tregojnë që gjatë fushatës zgjedhore ka pasur fushata të organizuara në grupe të ndryshme në platformën Facebook, akuza e kundërakuza shpesh të bazuara në informacione të manipuluara, përdorim të gjuhës së ashpër, ofenduese dhe seksiste si dhe është vërejtur krijimi i webfaqeve dhe grupeve në rrjete sociale gjatë kohës së fushatës zgjedhore. Çrregullimet e informacionit nga jashtë janë vërejtur në masë më të madhe në mostrën në gjuhën serbe, krahasuar me atë në gjuhën shqipe.

Rezarta Krasniqi, drejtore Ekzekutive e Institutit D4D, theksoi se lajmet e pavërteta ndikojnë në integritetin zgjedhor, në veçanti në Kosovë marrë parasysh organizimin e shpeshtë të zgjedhjeve në vend.

Ambasadorja Nancy Soderberg, drejtore e lartë Rezidente në NDI Kosovë, pohoi se dezinformimi dhe keqinformimi po dëmtojnë proceset demokratike në tërë botën dhe se Kosova nuk është imune ndaj këtij fenomeni.

“Luftimi i dezinformimit kërkon bashkëpunim dhe qasje gjithpërfshirëse. Instituti Kombëtar Demokratik është i përkushtuar që të ndihmojë në këtë aspekt”, tha ajo.

Sipas saj, besueshmëria e qytetarëve për të shikuar lajme ka rënë në 5% për shkak të lajmeve të rreme.

Soderberg theksoi se qytetarët duhet ta kenë informacione të drejta që ta mbajnë Qeverinë si llogaridhënëse.

Blerinë Ukshini, menaxhere e Projektit në D4D, tha se çrregullimet e informacionit ishin pjesë e ambientit medial gjatë fushatës zgjedhore. Ajo theksoi praninë e mizogjinisë dhe shpërndarjen masive të informacioneve të pavërteta apo të manipuluara nëpër rrjete sociale.

“Duke e parë rëndësinë e lajmeve të çrregullta kemi vendosur të bëjmë monitorim të medieve. Kemi rënie të besimit të qytetarëve karshi medieve sidomos atyre të shkruara. Kemi dashtë me identifikuar lajmet që kanë qenë te pavërteta”.

Sipas saj, ka pasur artikuj e postime të subjekteve politike që kanë promovuar parti politike. Fushata, sipas saj, është karakterizuar me akuza e kundër-akuza pa fakte e argumente.

Ukshini iu bëri thirrje medieve që të verifikojnë lajmet para se ato të publikohen.

Naile Dema, gazetare në Klan Kosova, tha se duhet të dihen se kush janë mediet që shpërndajnë dezinformata. “Sepse dezinformatat e marrin dhënë para një lajmi të vërtetë” u shpreh ajo.

Raporti i plotë i monitorimit të medieve online dhe rrjeteve sociale në Zgjedhjet Lokale 2021 do të publikohet së shpejti, ku do të përfshihen edhe rekomandimet e dala nga diskutimi i sotëm.

Të ngjashme