Shqetësues shtimi i rasteve të braktisjes së fëmijëve në Kosovë

Prishtinë | 29 Gus 2019 | 11:04 | Nga Ekonomia Online

Braktisja e fëmijëve në Kosovë ka shënuar ngritje këtë vit në krahasim me vitin paraprak.

Punëtorët socialë thonë se ndër arsyet që i shtyjnë prindërit t’i braktisin fëmijët e tyre është gjendja e rëndë ekonomike në Kosovë. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti në vendin tonë janë braktisur 16 fëmijë të porsalindur.

Lutfi Bislimi, zyrtar për strehim familjar dhe kujdestari të fëmijëve pa kujdes prindëror në Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha për Radio Kosovën se bazuar në të dhënat nga vitet paraprake, këtë vit ka rritje të numrit të fëmijëve të braktisur.

“Në bazë të raporteve nga qendrat për pune sociale të komunave për periudhën janar-qershor 2019, janë evidentuar gjashtëmbëdhjetë fëmijë të braktisur. Bazuar nga këto të dhëna të gjashtëmujorit të parë të këtij viti kemi një numër të rritjes së numrit të fëmijëve të braktisur”, ka thënë Bislimi.

Punëtorja sociale në repartin e Gjinekologjisë në QKUK, Hafize Hamza-Geci, tha për Radio Kosovën se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë braktisur 8 foshnje të porsalindura nga prindërit e tyre në këtë klinikë. Ajo shtoi se gjendja e rëndë ekonomike është ajo që ndikon në braktisjen e fëmijëve.

“Kemi arsye të shumta që prindërit i deklarojnë në braktisjen e fëmijëve të tyre, por me të shpeshta janë gjendja e rëndë socio-ekonomike, pastaj shtazanit e padëshiruara dhe të paplanifikuara, dhe mungesa e vullnetit të partnerit për të marrë përgjegjësi për një fëmijë jashtë martesor ose pas ndarjes së një çifti, këto janë nder arsyet që prindërit i shtyjnë t’i braktisin fëmijët e tyre”, ka thënë Hamza-Geci.

Edhe Besnik Peci, udhëheqës i kujdesit alternativ në “SOS Fshatrat e Fëmijëve”, tha se në krahasim me vitin e kaluar këtë vit kanë ngritje të numrit të fëmijëve të braktisur e që janë vendosur në “Sos Fshat”.

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2019 në “SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës” i kemi 8 pranime të reja të fëmijëve të cilët kanë qenë të braktisur ose kanë pasur nevojë për strehim në “Sos Fshat”, ka deklaruar Peci.

Nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale thonë se duke iu referuar listave të rregullta mujore për familjet potenciale adoptuese, ka interesim të madh për adoptim të fëmijëve të braktisur. Ndërsa sipas tyre, preferencë gjinore, ka për të dy gjinitë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme