Shqetësuese shkalla e nepotizmit në institucionet e Kosovës

Prishtinë | 09 Mar 2019 | 08:29 | Nga Ekonomia Online

Shaip Havolli, Shef i Agjencisë Kundër Korrupsionit ka thënë se fenomeni i nepotizmit në institucione është shqetësues.

“Agjencia është duke i hetuar rastet e konfliktit të interesit dhe ushtrimit të ndikimit. Agjencia shumë shpejt do të dalë me qëndrim për të njoftuar publikun për këto raste. Këtë vit kemi një numër më të madh të raportimit të rasteve”, ka thënë ai, në RTK.

Imer Beka, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka thënë se Prokuroria është duke u marrë me më shumë se dhjetë raste.

“Ka ndërhyrje në konkurse dhe shumë herë merren në punë personat jo meritorë. Kohët e fundit jemi duke zhvilluar hetime për më shumë se dhjetë raste. Duhet t’i besohet Prokurorisë dhe rastet duhet që të denoncohen”, është shprehur ai.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se nuk ka vullnet politik për adresimin e kësaj dukurie.

“Dukuria e nepotizmit është shqetësuese deri në atë shkallë sa që njerëzit me integritet janë dëshpëruar. Nuk ka vullnet politik për ta adresuar këtë çështje nga politika, sepse vetë e ka krijuar këtë gjendje”, ka thënë ai.

Deputeti Milaim Zeka ka thënë se edhe partia përmes së cilës është bërë deputet sa i takon aspektit të punësimeve nuk dallon nga subjektet e tjera në vend.

“Partia përmes së cilës jam bërë deputet NISMA Socialdemokrate asgjë nuk dallon nga partitë e tjera, duke punësuar familjarë. Vetëm lëvizja Vetëvendosje bën përjashtim, të cilës nuk ia pranojnë listat e punësimit”, ka thënë ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme