Shqipëria e Kosova merren vesh: Qendra e Arsimit të Diasporës ngrihet në Prishtinë

Prishtinë | 14 Shk 2018 | 15:05 | Nga

Ministrat e Arsimit dhe Diasporës të Shqipërisë dhe Kosovës zhvilluan sot në Tiranë një takim pune të përbashkët me fokus arsimin shqip në diasporë dhe diskutuan mbi marrëveshjet e arritura.

Ata deklaruan se bashkëpunimi në arsim për shqiptarët në diasporë tashmë ka nisur dhe kjo e fundit do të përkthehet në krijimin e Qendrës së Arsimit për Diasporës me lokalitet në Prishtinë.

Ministri i diasporës, Pandeli Majko vuri në dukje se takimi i sotëm solli vendime të rëndësishme ndër të cilat edhe krijimi i qendrës për arsimin në diasporë, me lokalitet në Prishtinë.

“Mendoj se sot edhe me rastin e 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ne kemi çfarë u themi publikut. Pas mbledhjes së fundit të përbashkët ndërmjet dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, mendoj se takimi i sotëm mes e katër ministrive realizoi disa vendimmarrje të rëndësishme nga të cilat krijimi i qendrës për arsimin në diasporë që do të ngrihet në Prishtinë si një moment i përbashkët administrativ i të dy palëve. Në të do të merren një varg vendimmarrjesh që kanë të bëjnë me çështjet e ruajtjes së identitetit kulturor, çështje të arsimit si një ndërtesë e kahershme e të gjithë atij komuniteti shqiptar që jeton në diasporë. Mendoj se fillimi është i mbare dhe fillimi i mbarë është gjysma e punës”, theksoi Majko.

Ndërsa nga ana e tij, ministri kosovar i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, tha se “me këtë bashkëpunim do të arrijmë që të kemi punë të përbashkëta në diasporë dhe shpresoj edhe në Ballkan”.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla tha se do të ketë tekste të përbashkëta dhe një ekip të përbashkët menaxhimi për gjithçka që lidhet me punësimin e mësuesve, trajtimin e tyre dhe të gjitha problematikat që kërkojnë zgjidhje nga ekipet e përbashkëta e dy vendeve tona, për të realizuar angazhimin tonë një arsim cilësor të gjuhës shqipe në diasporë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme