Shqipëria pritet të dyfishojë gjobat e trafikut për të huajt

Prishtinë | 07 Maj 2019 | 08:28 | Nga Ekonomia Online

Drejtues të automjeteve nga Kosova duhet të bëjnë kujdes gjatë qarkullimit nëpër Shqipëri, pasi Parlamenti i këtij vendi ka parashikuar të votojë në seancë plenare këtë të mërkurë një amendament që ndryshon sanksionet për drejtuesit e automjeteve që kanë leje drejtimi të lëshuar nga një vend i huaj, duke dyfishuar gjobat.

Amendamenti i propozuar në fakt sjell dyfishimin e gjobave për drejtuesit e këtyre automjeteve në këmbim të mospezullimit të lejes së drejtimit (patentë shoferit), shkruan sot “Koha Ditore”.

Projektligji gjendet në procedurë në Kuvendin e Shqipërisë që nga 22 qershori i vitit të kaluar, pasi opozita në Shqipëri është shprehur asokohe kundër ndryshimeve në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë për dyfishimin e gjobës në këmbim të mosbllokimit të patentë shoferit për shtetasit e huaj përfshirë edhe ato nga Kosova, si dhe në dhjetëfishimin e gjobës për përdorimin e telefonit celular nga drejtuesit e automjeteve.

Ndryshimet në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë kërkojnë shumicë të cilësuar, pikërisht 84 vota, ndërkohë që partitë në pushtet në Parlamentin e Shqipërisë kishin në qershorin e kaluar 75 vota, kështu që projektligji mbeti në sirtarët e Kuvendit të Shqipërisë.

Të ngjashme