Shqiprim Arifi flet për “prapaskenat” e takimit të Albin Kurtit me Ardita Sinanin

Prishtinë | 11 Pri 2022 | 17:49 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi ka thënë që ministri Liburn Aliu, për arsye subjektive kishte organizuar takimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe ish-kryetaren e Preshevës, Ardita Sinanit, pikërisht në ditën kur po iniciohej shkarkimi i të njëjtës nga kjo pozitë.

Sipas Arifit, ky takim ishte organizuar në mënyrë që institucionet e Kosovës t’i bëhen avokat Sinanit.

“Nuk kemi marrë pjesë sepse kemi vendosur qysh më herët seancën që është mbajtur sot për shkarkimin e saj. Këtë takim e kanë organizuar në emër të kryeministrisë, mirëpo Liburn Aliu e ka organizuar, që ka marrëdhënie subjektive me Arditën, sepse e ka kojshike, për shkak të djalit të axhës së tij, në këtë formë, e ka shfrytëzuar marrëdhënien subjektive, për ta vënë në funksion, për të cilën jam i bindur që Kurti nuk ka njohuri për detaje. Besoj që i ka dhënë këshillën e mirë”, tha Arifi në T7.

Arifi thotë se shkarkuan Sinanin, për shkak që nuk ishte respektuar marrëveshja e Tiranës, kësisoj shprehet se ky veprim përçau skenën politike.

Madje, kryetari i ri i Preshevës, ndërlidh dështimin për të fituar një ulëse në Kuvendin e Serbisë, me Ardita Sinanin.

“Ka fajin sepse kryetari i saj e ka marrë këtë vendim bashkë me të. Ka pasur mbështetje nga Sinani, në këtë formë, po flas edhe për partitë e tjera, e kanë parë me të njëjtën perspektivë. Këtu faji nuk mund të ndahet, faji është i përbashkët i Kamberit dhe Sinani- e cila është kryetarja e degës në Preshevë. Partia e Sinanit, e ka shkelur marrëveshjen e Tiranës, ka përçarë spektrin politik. Qytetarët kanë qenë të revoltuar, kësisoj kemi mbetur pa përfaqësim në Kuvend”, u shpreh ai.

Të ngjashme