Shteti riemëron Task-Forcën për luftimin e piraterisë

Prishtinë | 13 Sht 2019 | 08:36 | Nga Ekonomia Online

Për herë të dytë shteti është bërë me Task-Forcë për luftimin e piraterisë. Vendimi i ministrit në detyrë të Kulturës, Kujtim Gashi, për emërimin e anëtarëve të Task-Forcës e ka zëvendësuar atë të 13 janarit 2013 që ishte marrë nga Qeveria e Kosovës.

Task-Forca do të përbëhet nga drejtori i Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, Valon Kashtanjeva, si kryesues, përderisa në cilësinë e anëtarit janë kryeinspektori i tregut, një prokuror, drejtori i Zyrës për pronësi intelektuale, udhëheqësi i Sektorit të pronësisë intelektuale nga Dogana e Kosovës, shefi i Sektorit për hetimin e krimeve ekonomike e ai për hetimin e krimeve kibernetike nga Policia e Kosovës e kryeshefi i Agjencisë për administrimin e pasurisë së sekuestruar ose konfiskuar.

Drejtori i Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, Valon Kashtanjeva, ka thënë se qëllimi i Task-Forcës është zbatimi i Strategjisë Kombëtare për Forcimin e Sistemit të së Drejtës së Autorit e koordinimin e veprimeve të institucioneve në luftën kundër falsifikimit dhe piraterisë me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve konkrete nga ana e institucioneve dhe organeve kompetente. “Task-Forca do të bëjë edhe sensibilizimin e institucioneve të zbatimit të ligjit, dhe publikut në luftën kundër falsifikimit dhe piratërisë në fushën e të drejtës së autorit”, ka thënë ai. Përbërja paraprake, sipas Kashtanjevës, është takuar një herë në muaj, me përjashtim të muajve të fundit. Në qershor të këtij viti ishte miratuar Strategjia Kombëtare për Forcimin e Sistemit të së Drejtës së Autorit. Strategjia është pesëvjeçare, aq sa është edhe mandati i Task-Forcës.

Kashtanjeva ka thënë se për herë të parë në kuadër të Task-Forcës do të jetë edhe një prokuror si përfaqësues i Prokurorisë së Shtetit.

Mbi dy milionë euro është vlera e mallrave që janë konfiskuar nga Dogana e Kosovës gjatë vitit 2018 vetëm sa i përket shkeljes së të drejtës së autorit.

Të ngjashme