Shteti s’ka arkiv për krimet e luftës, gjykimi në mungesë sfidë për gjyqësorin

Prishtinë | 15 Dhj 2019 | 08:15 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në kuadër të ministrisë së Drejtësisë funksionon një departament i veçantë që qëllim ka mbledhjen, përpunimin dhe klasifikimin e rasteve të krimeve të luftës.

Ai është pjesë e departamentit për drejtësisë tranzicionale. Ky mekanizëm po kryen funksionin e Instituti që ishte themeluar me vendim qeveritar në vitin 2011, por është mbyllur vitin e kaluar.

Por ky institucion do të mund të vihet sërish në funksion, ka një intervistë për Ekonomia Online, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

Ajo sqaron se Instituti do t’i shërbejë prokurorisë për dokumentimin e krimeve të luftës.

Por që shteti nuk ka një arkiv zyrtar të krimeve të kryera nga regjimi serb gjatë luftës së fundit. Për të arritur rezultatet konkrete ajo thotë se përveç dëshmive, duhet edhe fuqizim i prokurorisë.

“Me Qeverinë e ardhshme ne kemi paraparë edhe ta themelojmë Institutin për krimet e luftës që do të jetë në shërbim të prokurorisë për dokumentimin e krimeve të luftës. Ne nuk kemi një arkiv veç zyrtare për krimet që i ka bërë Serbia në Kosovë dhe ne do të punojmë shumë në këtë drejtim pra edhe me themelimin për institutin e krimeve të luftës, por edhe në fuqizim të prokurorisë”.

Një numër i madh neneve i janë shtuar Kodit Penal të Kosovës. Këto ndryshime mund të mundësojnë gjykimin edhe në mungesë të atyre që kanë kryer krime të luftës.

Haxhiu thotë se ky ka qenë një prej ndryshimeve më pozitive që ka pasur Kuvendi i Kosovës dhe më të vlefshme në kuptimin e krimeve të luftës.

“Unë besoj që një prej ndryshimeve më pozitive që i ka pasur Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe më të vlefshme në kuptimin e krimeve të luftës”.

Haxhiu tha se kjo ka qenë kërkesë edhe e organizatave të cilat mbrojnë të drejtat e njeriut që të ketë një nenë përkatës dhe mos të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese.

“Në momentin kur ne kemi draftuar atë propozim ndryshim ka qenë kërkesë e madhe edhe e organizatave të shumta që mbrojnë të drejtat e njeriut që të përkujdesemi që një nenë përkatës të mos ta rrëzojë Gjykata Kushtetuese”.

“Në qoftë se shkelen të drejtat e njeriut atëherë Gjykata Kushtetuese mund ta rrëzojë një nenë përkatës. Pra qëllimi ka qenë që të bëjmë diçka që nuk rrëzohet nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe mos të kritikohemi nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare si shtet që nuk i mbron të drejtat e njeriut”, tha Haxhiu, raporton Ekonomia Online.

Haxhiu thotë se duhet të përshpejtohet procedura për gjykimin në mungesë dhe të mbështeten institucionet e drejtësisë.

“Unë besoj që në qoftë se kjo zbatohet ne kemi arritur që sado pak të qetësojmë shpirtat e familjeve që po kërkojnë trupat e të pagjeturve dhe në anën tjetër drejtësi për atë çfarë ka ndodhur gjatë luftës së fundit sepse siç e dini deri tani nuk ka pasur drejtësi në vend dhe për ne është e papranueshme që 20 vjet pas luftës institucionet e drejtësisë të mos mbështeten sepse janë vetëm tre prokurorë speciale që merren me krimet e luftës dhe të përshpejtohet edhe procedura për gjykimin mungesë, por edhe të mbështeten institucionet e drejtësisë”.

Avokati Arianit Koci, thotë se gjykimi në mungesë do të mund të kishte efekt vetëm nëse do të zbatohej ndërmjet dy shteteve që kanë raporte, e jo si në rastin kur Serbia injoron çdo ftesë të ardhur nga autoritetet kosovare.

“Serbia natyrisht që ftesën tonë as nuk e merr fare parasysh dhe nuk janë përcaktuar afatet se sa do të konsiderohet afat i përshtatshëm prej ftesës së parë e deri në ftesën e dytë, thjesht ne kur e dërgojmë një kërkesë të tillë në Serbi, Serbia totalisht e injoron dhe për këtë arsye pesë herë nuk janë as pak as shumë por është dispozitë e paimplementueshme në rrethana kosovare. Kjo është parapa në dy shtete që kanë raporte ndër-shtetërore”.

Koci thotë se gjykimi në mungesë është sfidë për rrethanat momentale në të cilat gjendet vendi, që do të prolongoj procesin e fillimit të hetimeve.

“Nëse kalohet ky kriter, pra deputetët tanë kanë pas raste së kanë votuar dispozita ligjore që fare nuk janë të zbatueshme është dashtë këtu të ftohen avokat me përvojë, ftohen prokurorë me përvojë dhe të shihet si kjo mund të implimentohet në praktikë. Nëse tejkalohet ky problem po atëherë do të ketë efekt gjykimi në mungesë, por kjo është tash një sfidë thuaj se e pakapërcyeshme për rrethanat momentale apo është sfidë e cila do ta prolongoj shumë procesin e fillimit të hetimit”.

Sipas tij, gjykimi në mungesë aplikohet në shumë vende, por që sipas tij, personi që është dënuar të kërkojë të përsëritet procedura.

“Gjykimi në mungesë si institut juridik aplikohet në shumë vende të botës kështu që unë nuk besoj që kjo përbën ndonjë shkelje të drejtave të njeriut nëse në mënyrë të strikte respektohet dhe mbi të gjitha gjykimi mbahet në mungesë, por në momentin kur drejtësia ka qasje ndaj këtij personi që është akuzuar në mungesë apo që është dënuar në mungesë natyrisht që ai ka të drejtat e veta dhe mund të kërkojë të përsëritet procedura”.

Drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtat Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj i tha Ekonomia Online Blakaj se ndryshimi i Kodit Penal për gjykim në mungesë nuk i ndihmon viktimave, por vetëm shkakton kokëçarje për gjyqësorin.

Ai ka përmendur edhe rastin e shtetit të Kroacisë për të cilën tha ai se nuk i ka praktikuar gjykimet në mungesë.

“Ky ka qenë motivi i deputetëve të VV më shumë se një vit të cilët kanë propozuar amendamentin e kodit të procedurës penale që në atë mënyrë me u mundua edhe gjykimi në mungesë në mënyrë që të ketë sa më shumë gjykime. Organizata jonë e ka kundërshtuar sepse ne jemi nis që në bazë të disa premisave se këto procese gjyqësore në mungesë sjellin më shumë kokëçarje për gjyqësorin se sa që kanë ndihmuar viktimave”.

“Gjykimet në mungesë asnjë prej tyre nuk kontribuar shumë. Familjet e viktimave nuk kanë me qenë të kënaqura me faktin që ata që janë dënuar në këto gjykime në mungesë nuk janë duke e mbajtur burgun. Ne kemi qenë kundërshtar të këtyre gjykimeve në mungesë dhe shumë shpesh ata që kanë propozuar këto ndryshime në këtë procedurë penale janë thirre, shembull kemi Kroacinë. Por nuk i ka praktikuar gjykimet në mungesë”, ka thënë ai për EO.

Në kuadër të Prokurorisë Speciale funksionon departamenti për krimet e luftës, ku janë të angazhuar tre prokurorë.

Lexo më shumë:

Të ngjashme