Shtohen rastet e raportuara të dhunës ndaj grave në Pejë

Prishtinë | 04 Dhj 2019 | 08:14 | Nga Ekonomia Online

Fushatat e shumta të zhvilluara vitet e fundit për ngritjen e vetëdijes së femrës për të raportuar dhunën në familje ka ndikuar pozitivisht te gratë në këtë pjesë të Dukagjinit. Ky konstatim u tha në një tryezë të organizuar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE) në Kosovë, në kuadër të fushatës së 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës në bazë gjinore dhe promovimit të rezultateve të anketës së OSBE-së mbi mirëqenien dhe sigurinë e grave në Kosovë.

Megjithëse nuk paraqiti ndonjë statistikë për të krahasuar numrin e rasteve të raportuara këtë vit me vitin e kaluar, Violeta Demhasaj, hetuese policore e dhunës familjare në rajonin e Pejës, tha se numri i rasteve të raportuara është në rritje.

“Statistika të sakta ende si polici nuk kemi, pasi jemi në përfundim të vitit dhe në fund të vitit do të nxirren statistikat e sakta. Por, duke parë numrin e rasteve të raportuara për dhunë në familje në rajonin e Pejës, nëse e vlerësojmë, ka rritje të raportimit, por kjo rritje nuk do të thotë se ka rritje të rasteve të dhunës.Unë mendoj që është vetëdijesimi i rritur i qytetarëve, i cili e ka kuptuar se dhuna nuk duhet të heshtet dhe kanë filluar që rastet t’i raportojnë në polici”, tha Demhasaj.

Rritja e rasteve të raportuara të dhunës në familje dhe ndaj grave ka reflektuar edhe në rritjen e grave të strehuara në shtëpinë e sigurt në Pejë, ku strehohen për disa muaj dhe deri në një vit, sipas nevojës, gratë dhe fëmijët e grave viktima të dhunës në komunat e Pejës, Deçanit, Istogut Klinës dhe Junikut. Ardita Bala, drejtoreshë e kësaj strehimoreje, tregoi se kapaciteti i saj është 16 deri në 18 shtretër, me mundësi të strehimit shterës, ku si aktivitet kryesor kanë parandalimin e dhunës në baza gjinore, për çka, siç tha ajo, është shumë me rëndësi të bisedohet dhe këshillohet në komunitet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme