Shtrenjtimi i energjisë elektrike, Murati: Kjo nuk është një politikë e drejtë, e as e majtë

Prishtinë | 18 Jan 2022 | 19:55 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka kritkuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për shtrenjtimin e rrymës në vend.

Ai ka thënë se ky vendim jo vetëm që nuk është politikë e drejtë por është një diskriminim i hapur për një shtresë që qeveria e konsideron të dobët në revoltë.

Murati ka bërë edhe një shpjegim ekonomik për ketë temë.
Këtu keni statusin e tij të plotë:

“Taksë progresive për të pasurit – jo, shtrenjtim të rrymës për shtresën e mesme!

Ky shtrenjtimi i energjisë elektrike për një pjesë të popullsisë (që shpenzon më shumë se 600KËh) po i përngjan instrumentit të taksës progresive për ata që fitojnë më shumë kanë tatime më të larta. Veç në rastin e fundit, jashtë debatit ideologjik dhe ndikimit në zhvillimin ekonomik e shpërndarjen më të barabartë të fitimit, për një gjë të gjithë pajtohen, ata që tatohen me tatimin progresiv vërtet janë më të pasur. Në rastin tonë, kjo nuk është e vërtetë, sepse ata që harxhojnë më shumë se 600 KËh, nuk e bëjnë këtë ngaqë janë më të pasur dhe rrjedhimisht harxhojnë energji elektrike se bëjnë jetë luksi, por ngase shumica e tyre, që i takojnë kryesisht shtresës së mesme (të brishtë në kontekstin kosovar), nuk kanë mundësi tjetër (ta zëmë nuk e kanë pasur fatin në Prishtinë të kyçen në sistemin e ngrohjes qendrore ende). Dhe nëse vërtet ka qenë e domosdoshme ngritja e çmimit të energjisë elektrike në planin afatshkurtër për shkak të mungesës së saj në tregun botëror, shpërndarja e kësaj barre në më shumë qytetarë por edhe biznese ka qenë më e drejtë. Por si duket qeveria e ka zgjedhur rrugën më të lehtë (gjithmonë duke e vështruar edhe këtë problematikë me një sy elektoral) dhe të ngarkojë më shumë një pjesë të popullsisë (deri në 30%) e jo të gjithë duke llogaritur në një reagim më të vogël në këtë rast. Por kjo jo vetëm që nuk është një politikë e drejtë (e as e majtë), por një diskriminim i hapur i një shtrese që qeveria llogaritë se edhe reagimin mund ta ketë më të dobët”, ka shkruar Murati në llogarinë e tij në Facebook.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme