Shuhen shpresat për rinisjen e dialogut

Prishtinë | 02 Maj 2019 | 08:13 | Nga Ekonomia Online

Përveç heqjes së taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe, Samiti i Berlinit ka qenë shansi i vetëm që palët, atë kosovare dhe atë serbe, t’i kthejë në tavolinën e bisedimeve. Me gjithë përpjekjet njohësit e çështjeve politike thonë se ky samit nuk ka dhënë rezultate konkrete që të rinisë dialogu, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Faza finale e dialogut Kosovë – Serbi nuk pritet të fillojë as pas përpjekjeve të Gjermanisë dhe të Francës në Samitin e Berlinit. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas përfundimit të Samitit është shprehur edhe një herë tjetër se nuk do të ketë dialog pa u hequr taksa.

Mirëpo homologu i tij në Kosovë Hashim Thaçi ka thënë se taksa nuk do të hiqet dhe se Kosova nuk do të tolerojë dialog të kushtëzuar nga Serbia. Për Qeverinë e Kosovës rifillimi i dialogut aktualisht po varet nga presioni ndërkombëtar që duhet t’i bëhet Serbisë për të mos i kushtëzuar bisedimet. Për shkak të qëndrimeve të Serbisë dhe të Kosovës njohësit e çështjeve politike thonë se dialogu ka mundësi të mos fillojë as deri në Samitin e Parisit, i cili do të mbahet më 1 korrik. Kësisoj vlerësohet se nuk do të ketë zgjidhje të shpejtë që negociatat Kosovë – Serbi të nisin përsëri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme