Si erdhi deri te vrasja e 26-vjeçarit në Pejë, krejt çka dihet

Prishtinë | 21 Jan 2022 | 08:15 | Nga Ekonomia Online

Një përleshje me thika ka përfunduar me vrasjen e një të riu në Pejë. I vrarë ka mbetur një 26-vjeçar me inicialet E.M. Për këtë rast tashmë janë arrestuar dy të dyshuar. Express u sjell një përmbledhje të këtij rasti.

Dy persona janë plagosur me thikë dje pas një përleshje në lagjen “Fidanishte” në Pejë. Njëri prej tyre s’ka mundur t’iu përballojë plagëve të marra dhe ka vdekur.

Vdekjen e tij e kanë konfirmuar për Expres nga Policia e Rajonit të Pejës.

Për rastin janë arrestuar dy të dyshuar. Lajmin për arrestimin e tyre e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.

Ai konfirmoi se njëri është ndaluar për veprën penale vrasje e tjetri për shkaktim të lëndimit trupor.

“Si pasojë e një përleshje në një lagje në Pejë një person ka humbur jetën. Dy persona të përfshirë në këtë përleshje janë arrestuar nga Policia e Kosovës. Njëri i dyshuar për veprën penale ‘Vrasje’ e tjetri për shkaktim të lëndimit trupor”, ka thënë Nikçi në T7.

Më tutje ai tha se ndaj tyre pritet që të caktohet masa e ndalimit për 48 orë.

“Pasi që të njëjtit janë sjell në stacionin policor prokurorja kujdestare e Departamentit të Krimeve të Rënda ndaj tyre do të caktojë masën e ndalimit për 48 orë. Siç kemi informacione njëri nga të arrestuarit ka plagë trupore nga përleshja”, tha ai.

Ndërkohë, rastin për Express e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

 “Rreth orës 14:45 policia ka pranuar informatën për një përleshje në mes të dy personave. Gjatë përleshjes janë përdorur edhe mjetet të mprehta dyshohet që thikë. Si pasojë dy personat e përfshirë në këtë përleshje kanë pësuar lëndime dhe janë duke u trajtuar në spital, dhe njëri prej tyre ka lëndime më të rënda”, tha Gashi.

Të ngjashme